Balla reagon ndaj kërkesës për 180 vjet burg për ish-krerët e UÇK-së: E turpshme!

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës për t’i dënuar ish-krerët e UÇK-së në Hagë me 180 vjet burgim, duke e cilësuar atë si të turpshme dhe të mbushur me trillime ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një deklaratë në Facebook, Balla u shpreh se kjo akuzë përbën një përpjekje për të baltosur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe, sipas tij, rëndon mbi mbarë kombin shqiptar. Ai theksoi se ironia qëndron në faktin se e njëjta prokurori, vite më parë, ka kërkuar dënime shumë më të ulëta për kriminelët pushtues, përgjegjës për krime të rënda gjatë luftës në Kosovë.

Sipas Ballës, këto krime përfshijnë vrasjen e rreth 12 mijë civilëve, përdhunimin e mbi 20 mijë grave dhe vajzave, si dhe zhdukjen e rreth 1600 personave, të cilët ende rezultojnë të pagjetur.

Kreu i grupit parlamentar socialist ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive më 17 Shkurt në Prishtinë, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për Kosovën dhe luftën e saj çlirimtare në marshin “Drejtësi, jo politikë”.

“Mbi kombin shqiptar është zbrazur dje në Hagë një akuzë e turpshme e mbushur fund e krye me trillime, me qëllimin e vetëm baltosjen e luftës çlirimtare të UÇK. Ironia është se e njëjta prokurori ka kërkuar vite më parë dënime shumë më të ulëta për xhelatët pushtues, përgjegjës për 12 mijë bij e bija nënash të cilëve ju grabit jeta, për 20 mijë gra dhe vajza që u përdhunuan, për 1600 persona të tjerë të vdekur e të pakallur, ose si i thonë në gjuhën burokratike të Hagës, rezultojnë të zhdukur. Prandaj mos mungoni më 17 Shkurt në Prishtinë! Të gjithë duhet të jemi aty”, ka shkruar Balla.