Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, thotë se kanë biseduar me Qeverinë e Kosovës sa i përket padisë për gjenocid ndaj Serbisë dhe se nga ta janë njoftuar se janë në fazën e përgatitjes për ta bërë këtë.
‘’Ne kemi biseduar për këtë me Qeverinë dhe komisioni është njoftuar se janë në fazën e përgatitjes sepse kanë procedura shumë komplekse për me dorëzua. Herën e fundit kur kemi biseduar me Qeverinë, kanë thënë se jemi duke menduar për këtë, jemi në fazën e përgatitjes, por nuk e di ku ka mbërri puna deri tani’’ thotë deputetja Balje.
Ajo thotë se për këtë gjë përgjegjëse është Qeveria dhe kjo është punë e saj.
‘’Për këtë duhet me biseduar me Qeverinë. Ne se bëjmë atë e bën Qeveria. Ne jemi deputetë, nuk jemi ekzekutiv, këtu ka përgjegjësi vetëm Qeveria dhe nuk kam shumë informata për këtë’’ shprehet ajo.