Balje flet për kërkesën e OJQ-ve për shkarkim: S’ndryshoj mendim, unë s’i përkrahi kërkesat e tyre

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, Duda Balje, ka thënë se është në pritje të përgjigjes nga kryeparlamentari Glauk Konjufca lidhur me kërkesës e Organizatave joqeveritare për shkarkim të saj nga ky post.

Shkarkimin po e kërkojnë për siç thuhet gjuhën shpifëse dhe urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ dhe shfaqjen e qëndrimeve homofobe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vendimin e saj kundër tyre, Balje e konsideron si të drejtë, ashtu sikurse edhe veprimet e OJQ-ve, ndërsa deklaron se shkarkimi i saj nga ky post nuk do t’ia ndryshojë mendimin.

“Dëgjova këto dhe i lexova në media dhe ata kanë të drejtë me dorëzu letër te zotëri Glauku unë nuk jam duke përkrahur kërkesat që ata kanë d.m.th si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut ata kanë të drejtë me luajt por edhe unë kam të drejtë me vepru qysh unë mendoj se duhet edhe këtu jemi ku jemi unë jam duke prit përgjigjën e Glauk Konjufcës, pavarësisht si vendosin unë nuk e ndryshoj mendimin. Tash është topi te kryetari unë veç jam duke pritur”, ka thënë Balje për EO.