Bajrami: Mbi 1800 kontrata njëburimore janë nënshkruar gjatë Qeverisë Kurti – këto kontrata janë burim i korrupsionit

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjatë Qeverisë Kurti 2, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro.

Për këto të dhëna ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik. Sipas Bajramit, këto kontrata janë burim i korrupsionit.

“Sipas KRPP, gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro.  Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i miri. Për më tepër, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në dëmtimin e konkurrencës së drejtë e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit”, ka deklaruar Bajrami në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.