Nexhat Krasniqi është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të dyshimeve për përfshirje në “korrupsipn të madh”.
Ndonëse u shkarkua nga pozita e drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, Krasniqi është emëruar drejtor në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore. Një veprim i tillë është kritikuar nga opozita e shoqëria civile.
E para që shkroi për këtë temë ishte Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas Çitakut, zyrtarët publikë të Kosovës që janë të sanksionuar nga ShBA-ja, nuk duhet të kenë vend në institucionet publike.
“Zyrtarët publik të Kosovës të cilët sanksionohen nga SHBA për përfshirje në afera korruptive nuk duhet të kenë vend në Institucione Publike.
Pikë.” – shkroi Çitaku, transmeton Nacionale.
Ndërsa Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, e ka cilësuar këtë vendim si të patolerueshëm. Kryeziu shkroi se emërimi i zyrtarëve të sanksionuar nga ShBA-ja është në kundërshtim me integritetin, parimet dhe vlerat e qeverisjes së mirë.
“Është e patolerushme që Qeveria të promovojë, zyrtarë të lartë publik e institucional, të cilët janë sanksionuar si të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të madh. Emërimi dhe zgjedhja e këtyre personave në pozita të larta publike dhe institucionale, është në kundërshtim me integritetin, parimet dhe vlerat për qeverisje të mirë. Është kompromis me korrupsionin.” – shkroi Kryeziu, transmeton Nacionale.
Tutje, Kryeziu vlerësoi se një veprim i tillë është promovim i shembujve të këqij.
“Për më tepër, emërimi dhe mbajtja në pozita të larta publike të personave që janë përfshirë në listën e sanksioneve të SHBA-së për korrupsion, është ndjekje dhe promovim i shembujve të këqij të rajonit. Shtete e shembuj, të cilët nuk po mund të lirohen nga politikan e zyrtarë, me histori korruptive.” – shkroi Kryeziu.
Në këtë linjë, ishin edhe tri organizata të shoqërisë civile, IKD, INPOdhe Lëvizja FOL, të cilat e kritikuar ashpër vendimin e Ministrisë së Aliut.
“Vendimi i tillë tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta të zyrtarëve publik, dëmton interesin publik dhe dëshmon paaftësinë e drejtuesve të dikastereve të caktuara të qeverisë për t’iu përgjigjur në mënyrë të duhur kërkesave për qeverisje të mirë. Në anën tjetër, drejtimi i punëve publike të rëndësishme siç është infrastruktura rrugore me persona të cilët kanë pasur probleme me ligjin, në rastin e tanishëm me dënim të formës së prerë, zbeh besimin e publikut në institucionet publike të Kosovës.” – thuhej në komunikatën e përbashkët të këtyre organizatave joqeveritare, shkruan Nacionale.
Ndërsa Flaka Surroi, opinioniste dhe gazetare veterane, ka shkruar në një opinion të publikuar në Koha, se saga me Krasniqin tregon “për talljen që ne vetë ia bëjmë shtetit tonë”.
“Pra, njeriu i cili u shpall fajtor për keqpërdorim, edhe në qeverinë e cila kishte premtuar luftën e pakompromis kundër korrupsionit, mbajti postin kyç ku mund të vidheshin paratë. Dhe, nuk u mbajt aty tri ditë, por tre vjet, derisa amerikanët nuk e qitën në listë të zezë.” – shkruan Surroi.
Madje, zonja Surroi ka kritikuar edhe emërimin e Krasniqit në pozitën e re në Ministrinë Infrastrukturës që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu.
“Pra, anëtari më i ri i listës së zezë amerikane, që nga pardje është drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore. Pra, shef i departamentit me më së shumti buxhet dhe me më së shumti dështime në ministrinë që e udhëheq Liburn Aliu. Në vitin 2023 janë planifikuar 257 projekte nga kjo ministri. Jemi thuajse në fund të vitit, madje 169 projekte NUK janë nisur fare, pra 65% e planit është në pikën zero.” – shkroi Surroi.