Ramush Gashi është detyruar të lë punën për t’u kujdesur për vajzën e tij më aftësi të kufizuara. Pagesa mujore që merr është e pamajftueshme edhe për shërbimet e detyrueshme mjekësore e lëre më për një kujdestare.
Që asistenca financiare është e pamajftueshme për personat me aftësi të kufizuara e thonë edhe në shoqatën “Handikos” në Prishtinë. Sipas tyre, aktualisht për një kujdestar ofrohen 150 euro, që është vlerë shumë e vogël.
Gashi, që thotë se aktualisht merr 375 euro në muaj asistencë, thekson se është pamjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për vajzën e tij e lërë për të paguar edhe një kujdestare. Prandaj, është detyruar të ndërpresë punën që t’i gjendet afër vajzës.
Gashi tregon për KosovaPress se vetëm një seancë ushtrimi, për të cilën ka nevojë vajza e tij kushton 20 euro, pa llogaritur nevojat e tjera.
Edhe Faruk Kukaj, person me aftësi të kufizuara, është i pakënaqur me pagesën që merr nga shteti. Ai thotë se me këtë lartësi pagese nuk mund të gjesh as kujdes, për të cilin kanë nevojë edhe 24 orë.
Drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi, konfirmon se pagesat që marrin nga shteti nuk i plotësojnë nevojat e tyre.
Ai thotë se personat me aftësi të kufizuar janë detyruar që t’i mbulojnë vetë pothuajse shumicën e shpenzimeve që i kanë, pasi shteti nuk mbulon për ta asgjë.
Maliqi thotë se personat me aftësi të kufizuar ia dalin vetëm falë familjarëve, të cilët duhet të sakrifikojnë punën e tyre.
Maliqi shton se personat me aftësi të kufizuara sfidohen në çdo sferë të jetës, ndërsa bën thirrje për shërbime shëndetësore e rehabilituese më të mira nga shteti.