Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoratit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën, kështu thuhet në raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit, me raportin ex officio nr. 252/2021 ka përfunduar hetimet për sigurinë dhe shëndetin në punë, për të vlerësuar se sa autoritetet publike, përgjegjëse për zbatimin e ligjit, po i përmbushin detyrimet që kanë në marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve në punë, sigurinë dhe ruajtjen e shëndetit në vendin e punës për të punësuarit, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Hetimi ka filluar duke u bazuar në raportimet në media për rastet e shpeshta të aksidenteve në punë me pasoja deri në fatalitet.
Raporti trajton dhe paraqet situatën aktuale në vend lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë, funksionimi i mekanizmave lidhur me këtë fushë dhe nuk duhet të shihet si një dokument që shteron problematikat që tërheqë siguria dhe shëndeti në punë, por si një hap drejt një mbikëqyrjeje më intensive nga ana e Avokatit të Popullit kundrejt autoriteteve përgjegjëse, që rregullojnë dhe inspektojnë këtë fushë, si dhe situatës në terren, lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës, me theks të veçantë sigurinë dhe shëndetin në punë.
Të dhënat statistikore për aksidentet në vendet e punës, që përfundojnë me fatalitet, janë shqetësuese. Që nga viti 2004 deri në vitin 2021, sipas Inspektoriatit të Punës, kanë humbur jetën 232 persona në vendin e punës ose lidhur me punën. Ndërsa vetëm gjatë vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë, 15 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërsa janë evidentuar 394 aksidente që kanë përfunduar me lëndime. Këto të dhëna duhet të jenë thirrje për institucionet që të marrin masa për tu siguruar jetën dhe shëndetin e punëtorëve dhe të përmbushin detyrimet që kanë për mbrojtjen e shëndetit dhe jetës, thuhet në raport.