Avokati Besnik Berisha i është drejtuar me një letër U.D., Kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi për pretendimet e tij se u arrestua në mënyrë të kundërligjshme dhe arbitrare, për siç thotë me urdhër të pushtetit dhe ministres së Drejtësisë, përmes prokurorit Rasim Maloku.
Avokati Berisha i është drejtuar kryeprokurorit Kelmendi me kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë dhe kushtetueshmërisë së veprimeve procedurale të kryera nga prokurori Rasim Maloku.
Në këtë kërkesë, avokati Berisha thotë se po denoncon “krimet e kryera nga prokurori Rasim Maloku”, i cili sipas tij po i “serviloset urdhërave të pushtetit, të dhëna nga një ministre e Drejtësisë dhe jo vetëm”. Kjo sipas tij, për kritikat që ia ka dhënë ministres për “paditurinë, dështimet e paaftësinë e saj profesionale”.
Avokati Berisha thotë se konfliktet verbale me prokurorin Rasim Maloku kanë nisur 6-7 vite më parë në suazat e ushtrimit të profesionit.
Gjithashtu, i njëjti pohon se ka argumentuar me prova kredibile se ka pasur autorizim për të vepruar si avokat mbrojtës i të dyshuarfit G.S., dhe se “pretendimi i prokurorit të çështjes kinse nuk kam pasur autorizim për të mbrojtur të dyshuarin G.S., ishte veç një trillim dashakeq dhe i qëllimshëm i tij”.
Tutje, avokati Berisha pretendon se “prokurori Rasim Maloku ka keqpërdorur dhe tejkaluar kompetencat e tij me rastin e bastisjes së njërës prej pronave të mia, gjatë së cilës ishte personalisht i pranishëm”.
Prandaj, ai kërkon që ndër të tjera të themelohet një ekip prokurorësh që të vlerësojnë veprimet e marra të prokurorit Maloku në rastin e tij si dhe të iniciohet procedurë hetimore kundër tij.