Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar qarkullimin e një produkti ushqimor për fëmijë në Kosovë, pasi është identifikuar prania e substancës Cereulide, e cila konsiderohet e rrezikshme për shëndetin.
Sipas njoftimit zyrtar, AUV ka pranuar informatën nga Republika e Shqipërisë, përkatësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër njoftimi 810066 dhe referencë 2025.9963.
Bëhet fjalë për produkte ushqimore për fëmijë me prejardhje nga Holanda, të eksportuara në Shqipëri nga subjekti “Rossmann & LALA SH.P.K.”. Sipas të dhënave zyrtare, 462 njësi të këtij produkti janë shpërndarë në tregun e Kosovës për kompaninë Rossmann Kosova.
AUV njofton se, në koordinim me operatorin ekonomik përkatës, ka ndërmarrë masa për bllokimin e menjëhershëm të produktit, ndërsa në ditët në vijim pritet të realizohet edhe asgjësimi i tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

