Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjithë tatimpaguesit se tashmë ka lansuar shërbimin më të ri elektronik për ta – Formularin DI.
Nga data 1 janar 2023 do të hyjë në funksion ky shërbim i ri elektronik, ku përmes Sistemit Elektronik EDI, do të mundësohet deklarimi i Tatimit në të Ardhura Personale për Individ, kurse përmes Formularit të Ri – Formularit DI, do të mundësohet deklarimi vjetor dhe pagesa për Tatimin në të Ardhurat Personale për Individ.
Sipas ATK-së, deklarimi i Tatimit në të Ardhura Personale përmes formularit “DI-FORMULARI I DEKLARIMIT VJETOR DHE PAGESËS PËR TATIMIN NË TË ARDHURAT PERSONALE PËR INDIVID” kërkohet të bëhet nga secili individ i cili realizon të ardhura për të cilat nuk i është mbajtur tatimi në burim nga paguesi i tyre, përveç individëve që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe kanë statusin “Biznes Individual”, të cilët tatohen në të ardhura reale dhe deklarojnë me formularin PD – Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Afati i deklarimit me formularin “DI” është nga data 01.01.2023 deri më 31.03.2023 për vitin 2022, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga ATK-ja thonë se për të deklaruar Tatimin në të Ardhura Personale, individi përmes numrit personal duhet të regjistrohet në Sistemin Elektronik EDI, ku pasi të regjistrohet, ATK-ja i dërgon fjalëkalimin përmes të cilit individi mund të përdor sistemin elektronik EDI. Por, për t’u deklaruar Tatimi në të Ardhura Personale, nga Individi kërkohet që paraprakisht të plotësohet pyetësori i hartuar me pyetjet lidhur me të ardhurat e realizuara gjatë periudhës (vitit), si dhe shpenzimet e lejuara me Ligj.
Pra, Formulari i deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale për Individ – “DI”, ndryshe nga të gjithë formularët tjerë për deklarimin dhe pagesën e tatimeve, sipas ATK-së, plotësohet në mënyrë automatike nga sistemi, bazuar në përgjigjet që do t’i ofrojë individi (tatimpaguesi) në pyetjet e parashtruara paraprakisht.
Ndërkohë, për plotësimin e saktë të Formularit të deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale për Individ – “DI”, ATK-ja u rekomandon tatimpaguesve që të shfrytëzojnë sqarimet e ofruara për secilën pyetje se çfarë duhet të përfshihet si e ardhur apo shpenzim/zbritje në pyetjen përkatëse.
Gjithashtu, lidhur me deklarimin përmes Formularit të deklarimit vjetor dhe pagesës për Tatimin në të Ardhurat Personale për Individ – “DI”, ATK-ja thotë se në ditët në vijim do të realizojë edhe një seminar për tatimpaguesit për të sqaruar se si plotësohet saktë deklarata tatimore.