Agjencia ndërkombëtare “Associated Press” i ka kushtuar një shkrim dështimit të dytë të VV-së për të krijuar qeverinë e re.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës të mërkurën dështuan të zgjedhin një qeveri të re, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme pas një krize politike që ka zgjatur me muaj në vendin e vogël ballkanik, shkruan AP, transmeton Gazeta Politika.

Kryeministri i mandatuar, Glauk Konjufca, nga Lëvizja Vetëvendosje që është në pushtet, mori 56 vota në Kuvendin me 120 deputetë, çka është më pak se shumica e nevojshme për t’u zgjedhur.
Votimi paraqet një goditje për partinë në qeveri të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Partia fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e shkurtit, por jo aq sa për të qeverisur e vetme.
Që atëherë ka dështuar të krijojë një aleancë politike që do t’i siguronte shumicën parlamentare.
Presidentja Vjosa Osmani tani duhet të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme brenda 10 ditësh.
Kjo është hera e parë që Kosova nuk ka arritur të formojë qeveri që prej shpalljes së pavarësisë nga Serbia në shkurt të vitit 2008, pas luftës së viteve 1998-99 ku u vranë rreth 13,000 njerëz.

