“Asociacioni të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit”, Krasniqi tregon çka bisedoi me Lajçakun

Në kuadër të vizitës në Bruksel, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, kreu i partisë opozitare tha se ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së se “statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Postimi:

Në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, sot takova edhe të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe procesi dialogut, përfshirë draft-statuti i propozuar i Asociacionit, ishin tema të diskutimit tonë.

Edhe një herë, Emisarit Lajçak i ripërsërita qëndrimin tim dhe të PDK-së se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Në takim, Emisarit Lajçak, poashtu, i kërkova që të ndikojë që Bashkimi Evropian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës!