Asociacioni, profesori i “John Hopkins”: S’ka garanci që Beogradi i zbaton marrëveshjet edhe pas tij

Kushtëzimi i Kosovës me miratim të draft-Statutit të Asociacionit për t’u përkthyer në votë pozitive përfundimtare në anëtarësim në Këshill të Evropës është veçse “një lëvizje tjetër zvarritëse në procesin e negociatave edhe ashtu të stër-zvarritur që qëllim e ka të nxisë autoritetet e Kosovës të bëjnë lëshime përtej vijave të tyre të kuqe”.

Kështu e përkufizon profesori i mirënjohur në “John Hopkins” dhe studiuesi eminent botëror Sinisha Vukoviq, qëndrimin e artikuluar së fundi të Francës gje Gjermanisë që Kosova të bëjë “hapa konkretë dhe të paprapakthyeshëm” drejt Asociacionit “në kontekst dhe ndërlidhje” të anëtarësimit ose-jo të Kosovës në KiE.

Vukoviq e sheh marifetin e Beogradit karshi perëndimin në “lënien e përshtypjes” se vetëm pas miratimit të Asociacioni “ata do të mund të nisnin koncesionet”. Por se sa qëndron kjo në realitet?

“Nuk ka kurrëfarë garancionesh e sigurish për zotim të këtillë të brendakuptueshëm”, tha Sinisha Vukoviq për Nacionale.

“Ndërsa prapëseprapë teknokratët perëndimor e marrin këtë sikur një sinjal të mirëqenë, dhe e kanë përdorur për pretekst në shtrimin e presioneve të paprecedenta ndaj Kosovës për ta bërë koncesionin e parë për Asociacionin që kjo pos sikur top-bore do t’i vërshojë me vete të gjitha pjesët e tjera të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit”.

Asociacionin si temë/detyrë më vete, Vukoviq nuk e sheh të bëshme, dhe në këtë linjë i qëndron argumentimit kosovar; për çka thotë se edhe vendimarrësit në Berlin, Paris dhe Romë “vështirë të mos mund ta lexojnë”.

“Megjithatë, rezultati (i anëtarësimit të Kosovës në KiE) do të përcaktohet nga ato iniciativa diplomatike do të shfaqin nivelet e nevojshme të këmbënguljes, qëndrueshmërisë dhe guximit përpara votimit përfundimtar”.

Për atë që Kosova është shumë afër anëtarësimit në Këshill të Evropës, për Sinisha Vukoviqin tregojnë “arritje të jashtëzakonshme në rrugën e shtrimin dhe konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.

Për krisjen e madhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, përkatësisht kursit jo-pak konfrontues të Albin Kurtit, Vukoviq ka një lexim tjetër.

“SHBA-të po përpiqen të përdorin taktikën e njohur të ndërmjetësimit për t’i bërë partnerët e saj në Kosovë të pranojnë zgjidhje të vështira të cilat përndryshe nuk do t’i pranonin nëse do të negocioheshin drejtpërdrejt me Serbinë. Ata shpresojnë se fuqia relacionale do të mjaftojë për të nxitur autoritetet e Kosovës që të pranojnë diçka që është qartazi e papëlqyeshme brenda vendit, dhe në këmbim ata do të ofrojnë mbulesë politike dhe, nëse është e nevojshme, asistencë implementuese gjatë rrugës”, tha ai.

“Megjithatë, kjo duket se nuk është e mjaftueshme, pasi Kosova zvarritet vazhdimisht përmes procesit i cili siguron përfitime në rritje, në vend të fitoreve të qarta të menjëhershme që mund t’i paraqiten audiencës vendase si përfitime të komprometimit me Serbinë. Pra, në një situatë ku Kosova supozon se asgjë nuk është dakorduar derisa të arrihet gjithçka, ndërsa SHBA-ja kërkon marrëveshje të pjesshme për të fituar një fitore, ne mund të shohim se si luhet tipi i sotëm i shkëputjes”, tha ai.