Ndonëse është ofruar në draft-Statut i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe në fund të tetorit, për të cilin janë pajtuar edhe pala kosovare edhe ajo serbe, ekspertja dhe studiuesja në institutin gjerman “Stiftung Wissenschaft und Politik”, Marina Vuloviq, nuk beson që ky institucion tejet kontraverz do të jetësohet; së paku jo edhe për disa vite.
Kjo për shkak të situatës zgjedhore që nis nga viti i ardhshëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; e pa presionin e të cilëve Qeveria e Kosovës nuk do të merrte as mundin për ta zbatuar.
Vuloviq nga SWP – institut ky i cili këshillon Bundestagun dhe Qeverinë Gjermane për politikë të jasthme – në një intervistë me Nacionalen nuk e përjashton se mund të ketë “një shtysë të fundit” nga euro-amerikanët në këtë drejtim; por edhe kjo thotë se “është e diskutueshme”.
Sfida e përnjëmendtë e Kosovës, na thotë Vuloviq, nuk është mosnjohja nga Serbia: “por, nga pesëshja mosnjohëse e BE-së”. Sepse, njohja nga këto pesë shtete “do të jetë përcaktuesi” i integrimit të Kosovës në strukturat e larta evropiane. Andaj, thotë ajo, përpjekjet duhet të drejtohen saktësisht andej.
Rreth përfshirjes së Rezolutës 12/44 që është e përfshirë në Preambulë të draft-Statutit, Vuloviq e sheh krejtësisht “në linjë me gjuhën juridike të BE-së ndaj Kosovës” teksa rikujton që Kosovës i referohen me asterisk edhe në raportimet vjetore.
Ndërkaq për ngulkëmbjen e kryeministrit kosovar për “nënshkrim” të Marrëveshjes Bazë; Marina Vuloviq e quan taktikë bllokimi të mëtejmë të zbatimit të marrëveshjes; e që sipas saj, dëshmon mosvullnetin edhe të Kosovës dhe të Serbisë për të zbatuar marrëveshjen.
Intervista e plotë me Marina Vuloviq:
Nacionale: Para mëse tre muaje, në një intervistë që bëmë, ju parapatë që Asociacioni i Komunave të banuara me shumicë serbe do të jetë “aty diku në mes” kërkesave maksimale të Serbisë dhe ofertës minimale të Kosovës. Simbas draft-Statutit që është dhënë, kështu duket të jetë edhe rasti. A besoni se ky “mes aspak i artë” mund të themelohet?
Vuloviq: Mendoj se Asociacioni mund të themelohet kur të ketë vullnet të mjaftueshëm politik dhe nëse do të ketë trysni të mjaftueshme nga Brukseli dhe Uashingtoni për ta zbatuar atë. Sidoqoftë, marrë parasysh që do të ketë vitin tjetër zgjedhje edhe në BE dhe ShBA, dyshoj se do të shohim ndofarë lëvizje domethënëse në atë drejtim në disa vite të ardhshme. Mbase edhe mund të ketë një shtytje të fundit diplomatike vitin tjetër para zgjedhjeve në BE, por edhe kjo është e diskutueshme.
Nacionale: Të gjithë në Kosovë e kanë të qarztë se s’kemi të bëjmë thjesht me një forum komunash që ndërveprojnë me njëra tjetrën, por një autonomi territoriale me kufi të qartë administrativë. Çfarë e bën edhe më të padurueshme këtë Asociacion – që kosovarët e kuptojnë se është e pashmangshme – është se çfarë marrin si këmbim të saj: fare pak për të mos thënë asgjë. Sepse çfarë tjetër do të ketë Kosova për të ofruar për njohjen juridike nga Serbia, nëse ky Asociacion shpenzohet pa njohje?
Vuloviq: Mendoj se edhe Serbia edhe Kosova e gjejnë veten në ngërç. Asnjëra palë s’dëshiron të bëjë lëvizje sepse thellësisht janë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës. Për Kosovën çështje nuk është veç mosnjohja e Serbisë, por pesë shtetet mosnjohëse të BE-së. Mendoj se kjo do të jetë beteja më domethënëse për Kosovën se sa të fitojë njohjen nga Serbia.
Njëashtu dyshoj që qeveria aktuale në Beograd dëshiron të jetë aktor konstruktiv në marrëdhënie me Kosovën, por ende vazhdoj të mendoj se njohja de facto e Kosovës do të ishte tejet fitimprurëse në përmirësimin e jetës së njerëzve në terren. Udhëtimi i papenguar, njohja e simboleve shtetërore, madje edhe përfaqësitë e përhershme (ambasada përveç në emër) do të vendoseshin. Nëse ka një ndryshim të përnjëmendtë të qeverisë në Serbi, mendoj se mund të ketë një themel solid në përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në të ardhmen.
Nacionale: Draft-Statuti për referencë e përmban Rezolutën 12/44 të Këshillit të Sigurimit që për shumë kënd erdhi si tronditje; pasi që kjo Rezolutë nuk përfshihej as në Marrëveshjen e Brukselit (2013) e as në atë të Parimeve (2015); dhe ky dokument nuk e njeh pavarësinë e shtetit. Çfarë besoni ju që ndodhi përgjatë rrugës që u desht të përfshihej ky dokument i vjetëruar e i tejkaluar?
Vuloviq: Kjo është në linjë me gjuhën juridike të BE-së ndaj Kosovës dhe pasqyron ndarjen e brendshme brenda BE-së mbi shtetësinë e Kosovës (pasi që janë pesë shtete mosnjohëse). Madje edhe në raportimet vjetore, Kosova shënohet me asterisk në titull, duke iu referuar Rezolutës 12/44. Prandaj edhe thash se beteja më e madhe për Kosovën është arritja e njohjes nga pesëshja e BE-s, sepse kjo do të jetë edhe përcaktuesi i përparimit të ardhshëm të Kosovës në integrimin e saj në BE.
Nacionale: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, ngul këmbë që Marrëveshja Bazë “të nënshkruhet” dhe se “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton zbatim”. Sidoqoftë, mbarë bashkësia perëndimore ndërkombëtare e merr ashtu siç është marrëveshjen si ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të detyrueshme. Si e shihnu ju këmbëngulësinë e zotit Kurti; a justifikohet ai në këtë apo thjesht po blen kohë sa për të shmangur themelimin?
Vuloviq: Mendoj se nënshkrimi ose së paku incializimi i marrëveshjes do të kishte qenë gjë e dobishme. Marrëveshja e Brukselit u inicializua, gjë që i dha ca peshë politike. Sidoqoftë, për sa kohë marrëveshja e re bëhet pjesë e kornizës së negociatave me BE-në, do të jetë e detyrueshme në atë kuptim. Nuk do të ketë përparim në rrugën drejt BE-së pa e zbatuar marrëveshjen. Të ngulësh këmbë në nënshkrim mund të jetë një taktikë ngërçi, por, siç thash, nuk mendoj se ka vullnet të mjaftueshëm politik aktualisht për të zbatuar marrëveshjen te asnjëra palë.
Nacionale: Si e shihni raportin e Kosovës me sponsorët dhe mbrojtësit e saj shtetërorë nëse nuk e themelon këtë Asociacion?
Vuloviq: Kosova do të jetë në një pozitë të pasigurt. Përderisa mendoj se është e padrejtë të bëhet presion vetëm ndaj Kosovës, ndërkohë që nuk ushtrohet presion i mjaftueshëm ndaj Serbisë, kjo gjithashtu kthehet në faktin se Kosova i ka të gjitha vezët në shportën e BE-së, që do të thotë se nuk ka alternativë për BE-në, dhe BE-ja mendon se mund të bëjë presion mbi Kosovën më lehtë.
Me Serbinë, tregimi është pak më ndryshe, pasi qeveria aktuale zhvilloi politikë balancimi midis fuqive të mëdha. Në mjedisin aktual gjeopolitik pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja mendon se mund të jetë e rrezikshme t’i bëjë presion Serbisë shumë. Nga ana tjetër, unë gjithashtu mendoj se Banjska ndryshoi shumë gjëra dhe shumë aktorë perëndimorë e kuptojnë se Serbia nën udhëheqjen aktuale ka të ngjarë të mos veprojë si një ndikim stabilizues në rajon. Në përgjithësi, mendoj se rezultati i zgjedhjeve të BE-së vitin e ardhshëm do të na tregojë se me çfarë pasojash përballen Kosova dhe Serbia për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit./Nacionale