As 50 euro. E as 100 sosh.
Policët e Kosovës duan një shtesë shumëfish më të lartë në pagë sesa ajo që u ofroi kryeministri Albin Kurti atyre dhe krejt zyrtarëve tjerë publikë.
Kështu të paktën shprehet për “Front Online” kryesindikalisti i tyre, Imer Zeqiri në ditën kur institucioni mbushi 23 vjet themelim.
“Shuma prej 50 eurove e Qeverisë s`është e mjaftueshme, kërkesa jonë është që 200 euro shtesa të kemi në pagë deri të miratohet Ligji i Pagave”, u shpreh Zeqiri për “Front Online”.
Krahas Ligjit për Paga, pjesëtarët e policisë tash e dy dekada përballën edhe me mungesa tjera.
“Kemi një polici në moshë të shtyer, po kërkojmë që Ligj për Pensionim të Parakohshëm të dërgohet nga Qeveria në Kuvend. Kemi një polici pa shujta, pa shpenzime tjera, mungesa logjistike të ndryshme”, vazhdoi tutje kryesindikalisti Zeqiri.
Hallin më të madh e kanë me sigurimet shëndetësore.
“Jemi në diskutim me Qeverinë, me bo një sigurim shëndetësor. Ministri Sveçla e ka pranuar që duhet, por s`ka asgjë konkrete deri tash”, theksoi Zeqiri për “Front Online”.
Fajin për krejt sfidat e papërmbushura, numri i një i sindikatës policore ua lë papërjashtim krejt qeverive.
Të pakënaqura janë edhe disa organizata tjera sindikale, të cilat që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë deri në afat të pacaktuar.
Në ombrellën e BSPK-së, ato po kërkojnë miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit të Pagave, i cili do t’i rregullonte pagat në sektorin publik në bazë të një hierarkie të detyrave, por deri në miratimin e tij, kërkojnë shtesa në pagë prej 100 eurove në muaj.