Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshimtë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas hetimeve paraprake, kanë arrestuar të dyshuarin R.M., (viti i lindjes 1958, mashkull kosovar), zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Prishtinës (ofiqar i Zyrës Lokale në Dardani).
“I dyshuari ka kryer veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘falsifikim i dokumentit’. Veprat penale dyshohet se janë konsumuar kur i dyshuari ka regjistruar persona pa bërë verifikimin se a plotësohen kriteret për regjistrim duke bërë që disa nga të regjistruarit të krijojnë identitet të dyfishtë (identitet të Kosovës dhe një shteti fqinj)”,thuhet në njoftimin për media.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe në cilësi të provave materiale janë sekuestruar përkohësisht:
– një telefon celular;
– 60 fishekë të kalibrit 7.62 mm;
– një karikator i armës;
– dokumente të ndryshme, certifikata, vërtetime të regjistrimit, foto të librave amzë dhe dokumente të tjera të personave të ndryshëm.
Me aktvendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit prej 48 orëve dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes.