Është arrestuar para vetëm pak çastesh, Driton Ajeti, pronari i Albshkollës, institucioni që punësoi mbi 400 persona me mbi 800 euro rrogë.
Këtë për Paparacin e konfirmoi prokurori Agron Uka, që dha detajet preliminare lidhur me rastin në fjalë.
Operacioni përfundoi para pak çastesh dhe i akuzuari tashmë gjendet në ambientet e paraburgimit në Gjilan.
Nga ajo që është mësuar, të njëjtit i janë gjetur edhe kubëza ari, që dyshohet të jenë false, mirëpo që i dyshuari i kishte përdorur për t’i joshur klientët që i kishte mashtruar.
Megjithatë, Uka u tregua i rezervuar sa u përket informacioneve të para.
“Ai u arrestua para pak çastesh, derisa dyshohet për veprën penale të mashtrimit. Gjithsesi, priten ekspertiza të tjera, duke thënë që nuk mund të thuhet tutje për akuza të reja potenciale, pra zhvatje ose ndonjë tjetër”, vazhdoi Uka.
Në anën tjetër, autoritetet duke ditur rëndësinë e rastit kanë ftuar të gjithë viktimat e mundshme, rreth 400 sosh që mund të jenë, të lajmërohen në zyret relevante.
Duhet thënë që për rastin në fjalë fillimisht kishte raportuar Insajderi, duke vënë në pah edhe mënyrën se si ishin bërë bashkë në një grup në platformën Viber.
Një bisedë që pat siguruar mediumi përkatës, në grupin e Viber “Stafi albshkolla” një nga menaxheret ka kërkuar nga personat që ishin në grup t’iu nënshtrohen trajnimeve profesionale të obligueshme për secilin profil të organizuar nga vetë kompania.
E njëjta ka theksuar se duhet paguar nga 100 euro për trajnim dhe se vetëm ata që e kalojnë do kenë kontratë pune.
Kjo pritet të jetë vetëm njëra nga adresat ku hetuesia pritet të vë pistat e saj rreth kërkimeve të mëtutjeshme rreth rastit në fjalë.