Luftar Piraj, djali i pronarit të “Meka Pro” nga Prizreni, Ilir Piraj, është arrestuar të martën mbrëma pasi dyshohet se ka rrahur një punëtor në kompaninë që menaxhohet nga vetë ai.
24-vjeçari i cili është menaxher në njërën prej dy kompanive në Prizren dhe Dragash, dyshohet se ka sulmuar fizikisht punëtorin e tij.
Kësisoj, viktima që ka pësuar lëndime trupore, kishte vendosur ta denoncojë personalisht rastin që ende nuk dihet se për çfarë arsye ka ndodhur.
Pas raportimit nga viktima, Policia në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë marrë masat e nevojshme dhe kanë intervistuar të dyshuarin për “lëndim të lehtë trupor”.
I dyshuari Piraj është dërguar në mbajtje për 48 orë. Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin. Sipas tyre, rasti ka ndodhur mbrëmë në orën 21:20.
“Të martën, në orën 21:20 viktima ka raportuar se është sulmuar dhe kanosur nga menaxheri i tij. Policia e ka shoqëruar të dyshuarin, i cili është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
E për këtë ngjarje ka folur edhe babai i të dyshuarit, Ilir Piraj. Ndërmarrësi nga Prizreni ka thënë për Sinjalin se nuk është me rëndësi kjo çështje.
Madje, ai është shprehur se një artikull i tillë nuk bën që të publikohet.
“Mos nxirrni palidhje…nuk është me rëndësi, s’keni nevojë kurrgjë. S’bon me publiku artikullin, jo s’po dojmë me dhënë versionin se nuk është në rregull. Ku është problemi? Nuk bon me publiku”, ka thënë ai.
“Meka Pro” është një biznes që pronar ka Ilir Pirajn. Sipas Agjencisë së Bizneseve, aktiviteti primar i kësaj kompanie me adresë të regjistruar në Dragash është paketimi apo ambalazhimi. E njëjta kompani ka edhe dy biznese të tilla, dy në Prizren dhe një në Dragash.