Pas hetimeve disa mujore ku janë aplikuar edhe masat e fshehta, është arritur që të arrestohen shtatë persona në Prizren, të cilët dyshohet se janë përfshirë në kontrabandimin e migrantëve, duke shfrytëzuar Kosovën si vend transit.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se të arrestuarit janë një palestinez, dy sirianë, një algjerian, dy libanezë dhe një shqiptar, ku disa prej tyre ishin duke u hetuar nga Departamenti i Kufirit, janë përfshirë në një rast në Prishtinë.
“Mbrëmë, më 19.06.2023, disa nga të dyshuarit të cilët ishin duke u hetuar nga Departamenti i Kufirit, janë përfshirë në një rast në Prishtinë. Pas kësaj, prokurori i PTh-Prizren, në koordinim me gjykatësin e procedurës paraprake, kanë lëshuar urdhër verbal për kontrolle në katër lokacione dy në Fushë Kosovë dhe dy në Mitrovicë. Gjatë operacionit policor, janë arrestuar shtatë të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘kontrabanda me emigrantë’. Të arrestuarit janë: një palestinez, dy sirianë, një algjerian, dy libanezë dhe një shqiptar”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatit dhe përkthyesit ligjor dhe më pas, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.