Shqiprim Arifi, ish-kryetari i Luginës së Preshevës i cili u shkarkua së fundmi nga posti i tij, ka shpjeguar të pathënat që fshihen pas kësaj lëvizje të presidentit serb Aleksandër Vuçiq.
Arifi tha se u shkarkua pasi kishte valëvitur në flamurin shqiptar në ballkonin e komunës që drejtonte në jug të Serbisë si dhe për kritikat e vazhdueshme që bënte ndaj politikave serbe. Ai tregoi sesi fillimisht ishte gjobitur nga gjykata dhe fill pas kësaj, i kishte ardhur lajmi i shkarkimit nga posti.
“Përveç veprimeve që kam bërë me flamurin kombëtar kam qenë edhe kritik ndaj politikave të Serbisë në Preshevë dhe në rajon në përgjithësi. Në fillim të javës presidenti Vuçiç vetëm kërcënoi publikisht sidomos shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe pas 3 ditëve më erdhi gjoba nga gjykata serbe se se do dënohem për vendosjen e flamurit kombëtar dhe pas gjobës më erdhi shkarkimi në mes të natës. Pra në orën 23:00 të natës së të premtes”– tha Arifi.
Ndër të tjera, ish-kreu i Luginës së Preshevës ngriti pretendime se mund të ketë pasur një koordinim mes Vuçiq dhe Kurtit për shkarkimin e tij pasi drejtimin e komunës e kanë marrë në dorë zyrtarë shqiptarë pranë Vetëvendosjes.
“Unë kurrë nuk kam qenë as i njërit as i tjetrit por i popullit këtu në Preshevë. Shkarkimi im nuk ka mundur të rezlizohet nëse do të kishte pasur shqiptarë të Luginës së Preshevës që më zevendësojnë tani deri në zgjedhjet e radhës më 2 qershor. Këta shqiptarë të Preshevës që kanë marrë drejtimin Teknik deri në zgjedhjet e ardhshme, janë njerëz të Kurtit.
Mua Serbia dhe Vuçiç më ka shkarkuar me traditën e Millosheviçit. Por kësaj kohe ka dashur të jetë një parakusht, koordinim me Vetëvendosjen e Kurtit. Njerëzit që kanë hyrë në udhëheqjen teknike deri në zgjedhjet e ardhshme, e kanë marrë aprovimin e Kurtit”- shtoi ish-kryekomunari për Top-Channel.
Arifi theksoi ndër të tjera se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka bërë asnjë reagim mbi shkarkimin e tij.
“Nuk kam parë reagime publike por kam pasur mesazhe të shumta nga kolegët. E kam bërë të ditur se Kurti nuk ka për të reaguar fare për shkarkimin tim. Edhe Kurti edhe Vuçiq kanë hequr një zë kritik në Luginën e Preshevës”– shtoi Arifi.