Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se është shkatërruar me sukses një laborator i narkotikëve në veri të vendit.
Sveçla theksoi se ky laborator gjendej në Zubin Potok, saktësisht në fshatin Kovaçi.
“Nga njësitet relevante deri tash janë arrestuar 6 persona, (5 të etnisë serbe dhe 1 i etnisë gorane) si dhe janë sekuestruar 50kg marihuanë e gatshme dhe 100 fije duke u përpunuar”, tha Sveçla.
Ministri theksoi se angazhimi në luftimin e çdo lloj krimi do të vazhdojë me intensitet të shtuar në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë dallim.
Duhet përkujtuar që muaj më parë në veri janë mbyllur disa prej rrugëve dytësore që po përdoreshin për kontrabandë.
Pas kësaj, në drejtim të Policisë së Kosovës pati vazhdimisht sulme. Shtatë sulme janë zhvilluar në drejtim të tyre brenda muajve.
Nga institucionet e sigurisë në vend këto sulme shpesh herë janë quajtur terroriste.