Kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “varet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëse do të vazhdojë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Petkoviq ka thënë se ka muaj “që Kurti bllokon zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, si me veprimet e tij politike, ashtu edhe me “dhunë dhe terror në terren” dhe këmbëngul që të bëjë gjithçka në kundërshtim me normalizimin, duke synuar kështu çdo ditë përshkallëzimin e situatën politike dhe të sigurisë në terren”.
“Rrjedha dhe rezultatet e dialogut Beograd-Prishtinë janë të përcaktuara në radhë të parë nga formimi i Asociacionit në mënyrën si është dakorduar në Bruksel, për të cilin serbët nga Kosova kanë pritur më shumë se 10 vjet, por Kurti shtiret sikur nuk e di këtë dhe përpiqet në çdo mënyrë që të mos i përmendë edhe këto detyrime”, ka pretenduar ai
Ai thotë se Beogradi gjithmonë do të përkujtojë dhe do të insistojë në formimin e Asociacionit, sepse vetëm kështu serbët do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre kolektive.
“Serbia njihet në bashkësinë ndërkombëtare si “një partner i besueshëm” në ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, gjë që e ka dëshmuar, ndër të tjera, me “përgjigje të mençura dhe të përmbajtura” ndaj politikës luftarake të Kurtit dhe përpjekjeve për të nënshtruar komunat serbe në veri të Kosovës”, ka pretenduar Petkoviq dhe ka shtuar:
“Dëshirat e Kurtit për do sanksione ndaj Serbisë do të përfundojnë në përputhje me fjalën e urtë: kush e hap gropën tjetrit, vetë bie në të. Është e qartë për të gjithë bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata që ishin sponsorët më të fortë politikë të Prishtinës në të kaluarën, nga cila anë kërcënon rreziku dhe kush çdo ditë prodhon përshkallëzime të reja që na largojnë edhe nga normalizimi edhe nga paqja”, ka përfunduar Petkoviq.