“Është e papërballueshme. Na duhen lehtësira e jo ngarkesa të tilla financiare”, thotë bujku Valon Vehapi.
Prej vitesh, ai kultivon mbi 150 hektarë tokë me prodhime të ndryshme bujqësore në komunën e Lipjanit – pjesa qendrore e Kosovës.
Por, nisur nga ky vit, ka edhe kosto shtesë: pagesën e tatimit për tokën bujqësore.
Kjo taksë ka nisur të aplikohet në bazë të Ligjit për Tatim në Pronën e Paluajtshme, i cili është ndryshuar dhe plotësuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2023.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës siguron se disa bujq do të kenë lehtësime, por nga organizatat që i mbështesin bujqit, thonë se taksa do t’i dëmtojë dhe do t’i demotivojë ata për të punuar tokat.
E pyetur nga REL-i se si është duke shkuar procesi i pagesës – afati për të cilën përfundon më 30 shtator – kjo ministri nuk u përgjigj.
Me ligj, ata që nuk e paguajnë tatimin, ndëshkohen me gjobë prej 10% të vlerës së tatimit të papaguar.