Qytetarët në Prishtinë janë duke u ankuar se autobusët e Trafikut Urban po vonohen dhe nuk po qarkullojnë sipas orarit të planifikuar.
Sipas qytetarëve, autobusët po vonohen deri në 30 minuta, ata janë ankuar në faqen “Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë”, duke publikuar edhe video.
Mirëpo nga Trafiku Urban vonesën e autobusëve e arsyetojnë duke thënë se komunikacioni është i dendur.
Zyra për Media e Trafikut Urban në një përgjigje për Telegrafin, thotë se këtu ka ndikuar edhe ndryshimi i linjave.
“Arsyeja e vonesave është komunikacioni i dendur në Kryeqytet, shtimi i linjave të reja dhe ndryshimi i tyre për të përfshirë edhe lokacione të reja, me vendime të Komunës. Çështja e menaxhimit të rrugëve dhe transportit publik është kompetencë e komunës, prandaj ne zbatojmë vendimet e saj, gjithmonë duke u përpjekur të ju shërbejmë qytetarëve në mënyrë sa më të mirë”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, autobusët e trafikut urban shpesh-herë edhe mbingarkohen nga qytetarët, ndërsa këtë vit është paraparë që kryeqyteti të pajiset edhe me disa autobusë të rinj
Qytetaret presin deri ne 30 minuta dhe autobuset vonohen per shkak te mbylljes se rruges Xhorxh Bush. Ajo rruge te pakten duhet te lirohet per qarkullimin e transportit publik. Nga rrethi ne Kodren e Trimave bene deri ne 1 ore. pic.twitter.com/eKQlZgE1f4
— Vrojtuesit e lagjes – Prishtinë (@VrojtuesitPR) January 8, 2024