Anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviq, ka thënë se vendi i saj nuk do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në një seancë të jashtëzakonshme që ajo sot e thirri, me një pikë të rendit të ditës që ishte qëndrimi i Presidencës boshnjake lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, tha se BeH nuk e njeh Kosovën dhe rrjedhimisht nuk mund ta mbështesë kërkesën e saj për në KiE apo në ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare, raporton agjencia e lajmeve nga Republika Srpska SRNA, transmeton Klankosova.tv.
Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi Raportin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Një anëtar i delegacionit të BeH-së votoi pro Kosovës, ndërsa Cvijanoviq e kritikoi të njëjtin.
Ajo tha se deputeti i parlamentit të Bosnjës veproi “në mënyrë joparimore” sepse votoi edhe përkundër faktit që BeH nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së tha se anëtarësimi eventual i Kosovës në këtë organizatë “është shkelje flagrante si e së drejtës ndërkombëtare ashtu edhe e vetë Statutit të kësaj organizate”.
“Është e nevojshme që Presidenca e BeH të mbajë qëndrim negativ për çështjen e anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të dërgojë një udhëzim të tillë në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, deklaroi ajo në këtë seancë të jashtëzakonshme.
Cvijanoviq gjithashtu tha se Presidenca e BeH-së diskutoi njohjen e Republikës së Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare në seancën e 78-të të jashtëzakonshme dhe të 17-të të rregullt në vitin 2020 dhe nuk mori vendim për njohjen e saj.
Duke tentuar të ndërlidh rastin e Kosovës me Republika Sërpskan, ajo tha se nëse anëtarët tjerë të Presidencës së BeH-së mbështesin Kosovën, a do të thotë kjo se ata do të mbështesin shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës.
“A do të thotë kjo tani se, për shembull, anëtarët e Presidencës së BeH-së apo institucioneve të tjera në nivel të BeH-së, duke mbështetur shpërbërjen e një zone shtetërore, në këtë rast të një krahine renegate serbe, po dërgojnë një mesazh se ata do të mbështesin edhe shpërbërjen e vendit të tyre, për shembull, pavarësinë eventuale dhe pranimin e Republika Sërpskas në Këshillin e Evropës apo ndonjë shembull tjetër të ngjashëm?”, pyeti Cvijanoviq.
Anëtarja serbe e Presidencës së BeH-së dha shenja se votimi i vendit të saj pro Kosovës në KiE edhe mund të ndodhë, megjithatë theksoi “kjo nuk e ndryshon faktin që BeH nuk e ka njohur Kosovën si subjekt të së drejtës ndërkombëtare”.
“Prandaj, pyetja ime do të ishte – pse Bosnja dhe Hercegovina do të presë që Serbia, për shembull, të respektojë integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës, nëse e njëjta Bosnje dhe Hercegovinë nuk respekton integritetin territorial të Serbisë?”, tha Cvijanoviq.
Komiteti i Ministrave i KiE-së, i cili përfaqësohet nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të kësaj organizate, pritet të votojë pro ose kundër Kosovës në maj.
Presidenca e BeH-së përbëhet nga tre anëtarë: një boshnjak, një kroat dhe një serb.