Lajmi për takimin e kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mërkurën e ardhshme ka befasuar shumë kë. Kjo për faktin se një takim i tillë nuk ishte paralajmërua më herët.
Shpejtësia e realizimit të këtij takimi të nivelit të lartë ka bërë që opozita t`i shpreh shqetësimet e saj, raporton Nacionale.
Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e procesit të dialogut Kosovë – Serbi kanë bërë me dije se takimi nuk mund të jetë në të mirë të Kosovës.
Duke i shprehur brengat e tyre, ata kanë vlerësuar se Kurti mund të bëjë kompromise të reja në raport me Serbinë.
Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedime me Serbinë, Edita Tahiri, e ka kundërshtuar takimin në fjalë.
Sipas tij, në këtë takim Kurti do të marrë leje nga presidenti serb për të hapur urën mbi lumin Iber.
Në profilin e saj në “Facebook”, Tahiri ka shkruar se në këtë takim mund te jepet edhe leja për të dërguar në Kushtetuese drafti-statutin e Asociacionit në Kushtetuese.
“Kurti takim me Vuciqin se shpejti! Kjo me gjasë që Kurti të marrë leje nga Vuciqi që ta hap Urën mbi lumin lber, mbase edhe leje që ta dorezojë Asociacionin te Gjykata Kushtetuese të cilin e shkroi mshefte prej popullit – përndryshe çka i duhet ky takim kur Vuciqi s’e levizi as gishtin për ta zbatuar njohjen e Kosovës, ndërkohë që pas sulmit në Banjskë nuk u ndeshkua, ndërkaq Kurti u ndëshkua. Tash me heqje graduale të ndeshkimeve që s’dihen kur hiqen!”, ka shkruar Tahiri.
Edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka shprehur shqetësime për kompromise të reja në këtë takim.
Duke folur në emisionin “Ditari” në Tëvë 1 është shprehur se LDK-ja dyshon se do të ketë aneks marrëveshje të re ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Zemaj ka thënë se LDK dyshon se mund të ketë diçka ndryshe nga ajo që po kërkohet për implementimin e marrëveshjeve të kaluara.
“Duket që ka hezitime edhe në BE për heqjen e masave, por unë besojë që kjo ndërlidhet edhe me takimin Kurti- Vuçit të mërkurën, mbetët të shihet sjellja dhe nëse ka ndonjë dakordim shtesë që unë nuk do ta dëshiroja dhe kërkojmë nga Qeveria të mos ketë gabime të përsëritshme, mos të ketë edhe ndonjë aneks marrëveshje tjetër. Mund të ketë dhe dyshojmë diçka ndryshe nga ajo që po kërkohet në implementimin e marrëveshjeve të kaluara”, ka thënë Zemaj.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dje ka konfirmuar takimin e nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai nuk ka thënë detaje rreth takimit dhe temave që do të mund të diskutohen.
“Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri Kurti do të përfaqësojnë palët respektive dhe takimi do të kryesohet nga lehtësuesi – Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell i mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçam i BE-së, Miroslav Lajçak”, është shprehur Stano për RTV21.
Takimin e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i ka thënë se në takim pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.
“Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara.”, ka thënë ai për RTV Dukagjini.
Ky është takimi i parë i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë pas sulmit në Banjskë, i cili ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar.