Ambasadori kinez në Serbi, Li Ming, tha se çështja e Kosovës është një pikë rreziku për Ballkanin dhe Evropën, prandaj zgjidhja politike e çështjes dhe ruajtja e stabilitetit në Kosovë është në interes të të gjitha palëve.
“Çështja e Kosovës është pikë rreziku për Ballkanin dhe Evropën dhe zgjidhja politike e kësaj çështjeje dhe ruajtja e stabilitetit në Kosovë janë në interes të të gjitha palëve. Pala kineze beson se në kuadër të Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve, të dyja palët duhet të arrijnë një zgjidhje të pranueshme reciproke për këtë çështje, përmes dialogut dhe konsultimit. Në këtë proces, sovraniteti dhe integriteti territorial i Serbisë duhet të respektohet plotësisht dhe të mos ketë standarde të dyfishta”, tha ambasadori.
Ai gjithashtu vuri në dukje se në vitet e fundit, situata në veri të Kosovës ka treguar vazhdimisht se veprimet e njëanshme vetëm përkeqësojnë frikën, rrisin tensionet, prishin paqen dhe stabilitetin rajonal dhe vonojnë zgjidhjen përfundimtare, gjë që nuk është në interes të asnjërës palë.
“Pala kineze inkurajon Bashkimin Evropian që të vazhdojë të bëjë përpjekje pozitive në promovimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe shpreson që BE-ja do të luajë një rol konstruktiv si ndërmjetës, do të mbetet neutrale dhe e paanshme dhe do të shmangë presionin e tepruar”, tha Li.
Ai vuri në dukje se themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është një element i rëndësishëm i Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013.
“Shpresojmë që marrëveshjet ekzistuese të vihen në praktikë, gjë që do t’i ndihmojë palët të ndërtojnë besimin e ndërsjellë dhe të nisin dialogun”, shtoi ambasadori kinez.