Ambasadorët e vendeve të QUINT-it ia zënë derën Kurtit, diskutohet për dialog e targa

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë shkuar në takim tek kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi. Në takim është diskutuar për targat dhe dialogun.

Kështu bëhet e ditur në një komunikatë dërguar për media nga Zyra e Kryeministrit, teksa shtohet se energjia kishte vëmendje të veçantë në takim, shkruan lajmi.net.

“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

“Energjia kishte vëmendje të veçantë. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës. Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord”.

“Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës. Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, citohet të jetë shprehur kryeministri Kurti.