Ambasada e ShBA-së: Përpjekjet e VV-së për bllokimin e certifikimit të LS-së përçarëse

Ambasada amerikane ka thënë se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Srpska janë shkurtpamëse e përçarëse.

Reagimi i ambasadës vjen pasi dje Komisionit Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Srpska për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ambasada paralajmëroi se këto veprime dëmtojnë stabilitetin e Ksovoës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik që SHBA e pezulloi për shkak të veprimeve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla dëmtojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të çuar përpara mundësitë për bizneset amerikane dhe të Kosovës”.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Srpska gjatë mbledhjes së djeshme mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër, ndërsa anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ abstenuan nga votimi.

Kurteshi e Krasniqi bënë deklarata të zëshme kundër Listës Srpska edhe dje duke e ditur se kjo situatë është përsëritje e asaj të shkurtit kur fillimisht Lista Srpska s’u certifikua në KQZ, por më pas Gjykata Supreme vendosi për certifikimin e saj.

Vendimi i KQZ-së sërish tërhoqi kritika nga vendet aleate të Kosovës.

Zyra e Bashkimit Europian në Prishtinë dje tha se politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike “është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës që është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”.

Po ashtu, reagim pati edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ngriti shqetësimin për dëmtim të reputacionit të Kosovës.

“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves./Express/