Alicia Kearns: Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të përballen me drejtësinë

Deputetja britanike kërkon drejtësi për sulmin në Banjskë dhe heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës.

Deputetja britanike Alicia Kearns ka deklaruar se Milan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të përballen me drejtësinë, duke theksuar se drejtësia është thelbësore për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ajo ka rikujtuar sulmin në Banjskë, ku një grup paramilitar i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, vrau policin e Kosovës Afrim Bunjaku. Sipas Kearns, grupi ishte trajnuar në baza ushtarake serbe dhe kishte përdorur armë të ushtrisë serbe.

Deputetja britanike ka theksuar se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe se çdo masë e mbetur duhet të hiqet. Ajo shtoi se fokusi duhet të zhvendoset drejt forcimit të sigurisë së përbashkët në rajon dhe mbështetjes së Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.