Albulena Haxhiu në QKUK, viziton gruan që u plagosë dje nga burri i saj

Fotografitë: Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka vizituar sot gruan e plagosur dje nga bashkëshorti i saj në Bresje të Fushë-Kosovës.

Haxhiu ka qëndruar në Kirurgjinë Torakale në kuadër të QKUK-së bashkë me stafin e saj.

Haxhiu po ashtu me këtë rast ka takuar drejtorin e klinikës i cili e ka njoftuar atë në lidhje me gjendjen e pacientes.

Ndryshe ministrja Haxhiu një ditë më parë pati kritika të shumta në drejtim të sistemit të drejtësisë në vend pasi i dyshuari ishte liruar pavarësisht se ishte arrestuar ditë më parë për dhunë në familje.

Sipas Haxhiut i dyshuari sapo është lënë i lirë ka shtënë me armë zjarri mbi gruan e tij.

“Edhe ky rast është dëshmia më e tmerrshme e neglizhencës së institucioneve të drejtësisë, në këtë rast gjyqtarit dhe sipas informacioneve që kemi me vendimin e së cilit është pajtuar edhe prokurori”.

“Kjo neglizhencë, këto vendime të gabuara e të nxituara po i stimulojnë rastet jo vetëm të dhunës, por edhe vrasjeve”, ka theksuar ministrja.

Policia sot ka njoftuar se përpos të arrestuarit kyç në këtë rast, në pranga është vënë edhe një i dyshuar tjetër për ofrim të ndihmës në fshehje të rastit.