Ngjarja më prestigjioze e parukerisë “GFP – World Championship”, është ëndrra e çdo floktari që dëshiron të konkurrojë dhe në këtë skenë më të rëndësishme të tregojë kreativitetin e tij midis shumë garuesve nga e gjithë bota.
Në Festivalin botëror që u mbajt këto ditë në Napoli (Itali), floktari i ri nga Rahoveci, Albian Kryeziu, nga dhjetëra garues berberë u shpërblye me vendin e dytë si përfaqësues i Kosovës në kategorinë “Razor fade”.
Kjo renditje e lartë në garën e parukierëve më të mirë, arrihet me punë dhe edukim të vazhdueshëm, duke ndjekur trendet botërore. Dhe përveç njohurive, një floktar i mirë ka nevojë për qasje të përgjegjshme ndaj punës dhe kreativitet.
Albiani, me punën e tij bashkon entuziazmin, kënaqësinë dhe profesionalizmin. Sukseset e tij në gara kanë treguar se shquhet për këto cilësi.
Paraqitja në këtë ngjarje bukurie tregon më së miri për punën dhe përcjelljen e standardeve, ndërsa kjo renditje, mund të jetë frymëzim për të gjithë kolegët e tij në Kosovë dhe më gjerë, transmeton Telegrafi.
Albian Kryeziu me ketë punë filloi të merrej prej moshës 14-vjeçare. Pesë vjet punoi për dikë tjetër, ndërsa tash e dy vite ka hapur biznesit e tij “BarberShop Albii”.
Me shumë sukses ka marrë pjesë në gara; dy herë në Shqipëri fitoi vendin e parë dhe të dytë, ndërsa në Turqi fitoi vendin e parë duke përfaqësuar shtetin e Kosovës.
Albani këtë punë e bënë me plot vullnet dhe kreativitet dhe thotë që nuk do të ndalet asnjëherë deri sa të mbërrijë në majat më të larta të suksesit.