Një dukuri mjaft shqetësuese dhe alarmante po ndodh në Policinë e Kosovës, të cilët tash e pesë muaj nuk kanë marrë shtesat për rrezikshmëri dhe të tjerat që u takojnë, si pasojë e Ligjit të ri të Pagave.
40 pjesëtarë të policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga institucioni i sigurisë dhe rendit për shkak të pakënaqësive të tyre me ligjin e ri të pagave – ku ata nuk po marrin shtesat për rrezikshmëri dhe të tjerat që u takonin para se ligji i ri i pagave të hynte në fuqi.
Përveç kësaj, çdo ditë pjesëtarë të policisë së Kosovës po paralajmërojnë dorëheqjet e tyre si pasojë e këtij ligji.
Krejt këto shqetësime i ka ngritur kryetari i sindikatës së Policisë së Kosovës Imer Zeqiri, i cili në një intervistë për Gazeta Blic, thotë se se ky shqetësim nuk është vetëm për sindikatën, por edhe për vet shtetin e Kosovës.
Zeqiri, thotë se nuk kanë asnjë informatë se çfarë po ndodh me shtesat për rrezikshmëri në punë dhe benefitet tjera, por që së fundmi thotë se është krijuar një komision qeveritar për këtë çështje, e për të cilin thotë se as nuk e di përbërjen e tij dhe as që kanë pasur mundësi për t`i takuar.
“Po në realitet që nga implementimi i Ligjit të ri për Pagat nga muaji shkurt e deri më tani, kaluan pesë muaj që shtesat për rrezikshmëri dhe shtesat e tjera nuk janë duke u ekzekutuar për policinë e Kosovës”, thotë ai.
Ai ka treguar se çka po u thonë nga Qeveria dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Se çfarë po ndodh dhe pse nga MPB-ja dhe nga Qeveria çdo herë kemi marrë përgjigje se do të bëhet ose këtë muaj ose muajin tjetër dhe tani për tani përgjigja e fundit është se një komision i Qeverisë është formuar për këtë çështje. Ende nuk e kanë përfunduar punën dhe sipas tyre janë duke punuar, por që për ne si sindikatë, por edhe për policinë është shumë e pakuptimtë dhe e paarsyeshme dhe pakënaqësitë në këtë drejtim janë jashtëzakonisht të mëdha duke llogaritur se një pjesë e Policisë së Kosovës nga këto pakënaqësi ose kanë paralajmëruar dorëheqje dhe një pjesë e tyre veç kanë dhënë dorëheqje.”
“Diku rreth 40 dorëheqje i kemi deri më tani vetëm në këtë vit, ndërsa paralajmërimet janë çdo ditë që takon zyrtarë policor që thonë se nëse kjo nuk bëhet, atëherë çka më tutje, përveç shtesës për rrezikshmëri, ligji i pagave na ka dëmtuar edhe në vitet e përvojës së punës në policinë e Kosovës, nga 1 deri në 15 vite, është zbrit në 0.25, kur kemi parasysh se kemi një polici pa sigurim shëndetësor dhe jetësor, kemi një polici pa ligj për pensionim që është jashtëzakonisht i nevojshëm , kemi një polici të cilëve shumicës nuk iu paguhet shujta, nuk u paguhet udhëtimi, nuk marrin asnjë shpërblim për fundvit që është e rregulluar me një udhëzim administrative, për një vlerë të pagës së 13 e shumë e shumë çështje të tjera, kështu që kjo pjesa e pagesës për rrezikshmëri e ka mbushur kupën”, thotë Zeqiri
Zeqiri: Komision e ri qeveritar për shtesat, nuk kemi shans ta takojmë – këto veprime do t`i marrim
As kush janë dhe as përbërja e tyre nuk e dinë përfaqësuese të sindikatës së policisë së Kosovës, komisionin qeveritar për shtesat për rrezikshmëri dhe shtesat e tjera.
Së paku, sipas kryetarit të sindikatës Imer Zeqiri i cili thotë se kurrë nuk e kanë takuar komisionin në fjalë.
Në rast se shtesat nuk do të dalin për pjesëtarë te policisë ai thotë se do të jenë t detyruar të marrin veprime, ndoshta edhe radikale si sindikatë.“Në realitet ne nuk jemi takuar më këtë komision dhe nuk kemi as shans që të takohemi me ta, informatat i kemi marrë nga MPB dhe çka po ndodh dhe si do të vendos ky komision vërtetë nuk kemi njohuri. Më herët kemi pranuar një rrezikshmëri në shtatë nivele dhe tani e kanë zbrit në pesë nivele, mirëpo për neve do të jetë e papranueshme sado që të jetë ajo, nga ajo që e kemi pranuar më herët. Në realitet presioni është i përditshëm nga pjesëtarët e policisë, çdo ditë ndaj sindikatës, që kanë të drejt plotësisht, ndërsa ne si sindikatë po e them shumë sinqerisht, po na pengon situata në veriun e vendit dhe kjo po na pengon, deri sa të qetësohet situata, sepse do të jemi të detyruar, bazuar në kërkesën e pjesëtarëve të policisë së Kosovës të veprojmë edhe ne si sindikatë” , thotë kryesindikalisti i policisë së Kosovës
Ku janë dhe çfarë po bëjnë tre policët e kidnapuar dhe më pas të liruar nga Serbia? Kryetari i sindikatës së policisë së Kosovë ka treguar se ku janë dhe kur pritet të kthehen në punë tre policët e kidnapuar dhe më pas të liruar nga policia serbe, brenda territorit të Kosovë.
“Policët e liruar për momentin janë në shtëpi, unë personalisht nuk i kam takuar se kanë pasur shumë delegacione dhe shumë obligime, ata për momentin janë në shtëpi, ndoshta pritet së shpejti t`i kthehen detyrave të rregullta”, tha ai.“Policët kanë vetëm një këmishë dhe pantallona, vetëm njësitet speciale janë furnizuar me uniformë
Ka një vit e më shumë që pjesëtarët e policisë së Kosovës nuk janë furnizuar me uniforma dhe veshmbathje.
Për këtë kryetari i sindikatës së policisë Imer Zeqiri thotë se kohëve të fundit vetëm pjesëtarët e njësive speciale janë furnizuar me uniforma të reja, por jo edhe pjesëtarët e tjerë të policisë.
“Në realitet deri vonë kjo gjendje ka qenë alarmante, kohëve të fundit ka nisur kompletimi i uniformave sidomos njësia special me një uniformë të re që është mjaftë unikate dhe e përshtatshme për punë, mirëpo pjesa tjetër e rendit ende kanë mungesë të uniformave kur them mungesa, ata kanë një palë pantallona, kanë vetëm një këmishë, që nuk mjafton, kjo krejt si pasojë e mos funksionimit të për një vit e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, e që tani disa tenderë janë kthyer në pikë zero, ndërsa disa të tjerë kanë filluar të shqyrtohen ose procedohen në mënyrë të rregullt, pra kjo është, ajo që ka ndodhur, që nuk janë të kompletuar ashtu si duhet me uniforma dhe veshmbathje tjetër:, tha ai.