Aktakuzë për ryshfet ndaj një zyrtari policor në Vërmicë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, përfshirë një zyrtar policor, nën dyshimin për përfshirje në veprime korruptive në Pikën Kufitare në Vërmicë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.K. akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa i pandehuri B.C. akuzohet për veprat penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 422 paragrafi 1 dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” nga neni 140 paragrafi 1 i KPRK-së.

Prokuroria bën të ditur se më 22 dhjetor 2025, rreth orës 08:10, në Pikën Kufitare në Vërmicë, A.K., në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. Duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare dhe i veshur me uniformë policore, A.K. i ka mundësuar B.C.-së hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit i ishte refuzuar hyrja për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Pas pranimit të parave, A.K. dyshohet se e ka kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme me veturën e tij, bashkë me të pandehurin B.C., duke e transportuar atë deri në Prizren.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, A.K. ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa B.C. veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Po ashtu, është kërkuar që ndaj A.K., përveç dënimit kryesor, të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.