Një zyrë, kompjuter, qasje në regjistrin civil zyrtar dhe rreth katër vjet kohë. Këto kushte besohet se iu deshën një zyrtari komunal të Mamushës të quajtur Murat Shala (Mürat Şala), për t’iu dhënë shtetësi të Kosovës 124 personave, jashtëligjshëm, sipas aktakuzës së ngritur ndaj tij më 9 shtator.
Mamusha është një ndër komunat më të vogla të Kosovës, me rreth 5.600 banorë, në shumicë të komunitetit turk.
Tashmë, ish-zyrtari i gjendjes civile në këtë komunë, Murat Shala, po akuzohet nga Prokuroria e Prizrenit për falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Aktakuza thotë se Shala u dha shtetësi dhe dokumente zyrtare mbi 100 personave, pa e përfillur ligjin.
Përveç kësaj, ai akuzohet se siguroi qasje në sistemin kompjuterik të kolegut të tij, për të bërë disa prej këtyre regjistrimeve.
Në listën e personave që përfituan, sipas Prokurorisë, figurojnë kryesisht persona të nacionalitetit turk.
Sipas aktakuzës, ata nuk i kanë plotësuar kriteret për marrjen e shtetësisë, madje shumica prej tyre as “nuk rezultojnë të kenë bërë hyrje apo dalje nga Kosova”.
Shala tashmë gjendet në paraburgim.
Avokati mbrojtës i tij, Forti Skoro, tha se e ka pranuar aktakuzën dhe provat e saj, pa komentuar më shumë lidhur me rastin.
“Tani presim faza të tjera të zhvillimit të procedurës”, tha Skoro.
Sipas Prokurorisë, Shala “e ka pranuar fajësinë në fazën hetimore”. Ndërsa, sipas të dhënave në aktakuzë, ai kishte qenë i dënuar dy herë më parë për veprën e falsifikimit të dokumentit zyrtar.
Me këtë aktakuzë, Shala pritet të përballet në gjykatë në fund të shtatorit.
Si dyshohet se u krye vepra?
Zyrat e Gjendjeve Civile nëpër komuna të Kosovës janë institucione, në të cilat është i mundur regjistrimi i shtetësisë së qytetarëve dhe pajisja me dokumente bazë, si certifikatat e lindjes dhe ekstraktet.
Këto dokumente janë baza që mundësojnë pastaj pajisjen me letërnjoftime dhe pasaporta të Kosovës.
Për regjistrim, personat që aplikojnë duhet të ofrojnë dokumente mbështetëse, përfshirë ato të shtetit prej nga vijnë, nëse janë shtetas të huaj.
Murat Shala ishte zyrtar i gjendjes civile në Komunën e Mamushës deri në fillim të vitit 2024, kur kishte dhënë dorëheqje “për arsye personale”.
Ndonëse Komuna e Mamushës nuk u është përgjigjur pyetjeve se sa gjatë ka punuar Shala në këtë institucion, nëpër postimet e tij në rrjetet sociale figuron se ai punonte aty që nga viti 2010.
Kryetari i Mamushës, Abdylhadil Krasniq, tha se rasti ka të bëjë me një “punëtor të vjetër dhe se rasti është në gjykim, kështu që nuk mund të flasë më shumë për të”.
Pak kohë pas dorëheqjes së Shalës, më mars të vitit 2024, në Prokurori ishte dorëzuar kallëzim penal për të.
Dyshimet fillestare ishin vetëm për një numër të vogël të regjistrimeve, derisa hetimet më të thella të Prokurorisë zbuluan mbi 100 regjistrime të dyshimta.
Në këtë hetim asistuan edhe inspektorët e Agjencisë së Regjistrimit Civil, organ qendror në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Tutje, sipas aktakuzës, Shala kishte siguruar qasje edhe në sistemin kompjuterik të kolegut të tij, me iniciale N.M, për të bërë regjistrimet dhe nxjerrjen e dokumenteve.
Në disa raste, sipas aktakuzës ai dyshohet se edhe kishte falsifikuar nënshkrimin e kolegut, në dokumentet që kishte nxjerrë.
Regjistrimet dyshohet se u kryen në shumicë nga viti 2021 deri para dorëheqjes së tij më 2024.
Në dëshminë e tij dhënë në Prokurori, Shala “ka mohuar se ka përfituar diçka materialisht nga ndonjë përfitues”.
Në shumë pyetje të Prokurorisë në lidhje me atë se si ishte bërë regjistrimi pa dosje paraprake të aplikimit apo dëshmi të hyrje-daljeve të personave, Shala ishte përgjigjur se “nuk e di”.
Gjithashtu, sipas asaj që thuhet në aktakuzë, ai ka deklaruar se “mund ketë ndodhur ndonjë gabim pa dashje”.
Në aktakuzë, Prokuroria thotë se nuk ka mundur të dërgojë ftesa për personat përfitues të shtetësisë meqë është njoftuar nga Policia se “asnjëri nga ta nuk posedon adresë të banimit apo qëndrimit në Kosovë”, si dhe “nuk posedon asnjë informatë për ata persona”.
Motivet e personave për të fituar shtetësinë në këtë formë nuk dihen me saktësi, ndonëse burime të Radios Evropa e Lirë kanë thënë se disa prej tyre mund të kenë pasur probleme në shtetet nga vijnë, në këtë rast në Turqi.
I akuzuari, i dënuar më parë për të njëjtën vepër
Në vitet e tij të punës në Mamushë, për zyrtarin Shala kjo nuk është hera e parë që bie ndesh me ligjin.
Ai ishte dënuar edhe dy herë më përpara për veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar, njëherë më 2018 dhe një herë tjetër më 2019.
Radio Evropa e Lirë ka siguruar aktgjykimin e vitit 2019 ndaj tij nga Gjykata Themelore në Prizren.
Në këtë dokument thuhet se Shala ishte dënuar për shkak se si zyrtar në Komunën e Mamushës, kishte përpiluar një aktvdekje për një person me iniciale R.M. ku “nuk shënoi të dhënat e duhura” duke i paraqitur si trashëgimtarë disa familjarë të tij, duke përjashtuar njërin.
Ky dokument, sipas aktgjykimit, më pas ishte përdorur si dëshmi te noteri në një proces trashëgimie.
Atëkohë, Shala ishte dënuar me pesë muaj burgim, dënim ky që me pëlqimin e tij ishte zëvendësuar me 1.200 euro gjobë.
Komuna e Mamushës, nuk u është përgjigjur pyetjeve se si ky zyrtar ka vazhduar të punojë në këtë komunë edhe pas dënimeve.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se dënimet jo të duhura nga gjykatat për zyrtarë publikë që shkelin ligjin, po ua mundësojnë atyre të përsërisin veprat.
“Sistemi gjyqësor, fatkeqësisht në rastet e shqiptimeve të dënimeve për zyrtarë publikë, rrallë shqiptojnë edhe masën plotësuese- kufizimin e ushtrimit të funksionit për një periudhë të caktuar kohore”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në aktakuzën aktuale, Prokuroria e Prizrenit i ka rekomanduar gjykatës që në rast të shpalljes fajtor, Shalës t’i shqiptohet dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike apo në shërbimin publik.
Rastet në komuna të tjera
Radio Evropa e Lirë ka identifikuar të paktën edhe dy raste në komuna të tjera të Kosovës ku persona të ndryshëm kishin siguruar dokumente zyrtare, jashtëligjshëm përmes zyrave komunale.
Njëri rast kishte ndodhur në Komunën e Pejës, sipas aktgjykimit të gjykatës së Pejës, të datës 4 maj të vitit 2023.
Sipas këtij aktgjykimi, një person me iniciale B.N., shtetas i Turqisë, më 2019 “kishte vënë në lajthitje Zyrën e Gjendjes Civile në Pejë”.
Bazuar në aktgjykim, ai kishte prezantuar një kopje të falsifikuar të pasaportës së Serbisë dhe më pas kishte arritur të regjistrohej në regjistrin civil të Kosovës, duke u pajisur kështu një herë me certifikatë të lindjes e më vonë me letërnjoftim dhe pasaportë të Kosovës.
Në dokumentet e reja ai kishte marrë inicialet I.Z.
Dënimi për të ishte gjashtë muaj burgim me kusht, i zëvendësuar me 2 mijë euro gjobë.
I arrestuar për këtë rast ishte edhe zyrtari komunal në Pejë, H.G., që kishte mundësuar dhënien e këtyre dokumenteve, por Prokuroria e Pejës i kishte pushuar hetimet ndaj tij, disa muaj pas arrestimit.
Më vonë, më 30 janar të vitit 2024, Gjykata e Gjakovës e shpalli fajtor personin R.K., shtetas i Shqipërisë që përmes Zyrës së Gjendjes Civile në Gjakovë kishte marrë në shfrytëzim letërnjoftimin e një shtetasi kosovar që gjendet në Gjermani.
R.K, i cili e kishte pranuar fajësinë, për këtë veprim u dënua me burgim me kusht prej 180 ditësh.
Në këtë rast i akuzuar ishte edhe një zyrtar komunal nga Gjakova, i cili nuk e kishte pranuar fajësinë, ndaj procedura për të ishte veçuar.
Gjykata e Gjakovës, nuk i është përgjigjur pyetjes lidhur me epilogun e aktakuzës ndaj këtij zyrtari.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka bërë publike se sa raste të regjistrimeve të dyshimta i ka identifikuar në vitet e fundit.
Ndërsa shifrat e Policisë, numërojnë dhjetëra raste.
Miftaraj nga KDI-ja, thotë se kontrolli mbi njësitë komunale që kanë qasje në regjistra civil duhet rritur, sidomos pasi që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën të udhëtojnë pa viza në 27 vende të Evropës.
Sipas tij, liberalizimi mund të rrisë edhe interesin e keqpërdoruesve për posedim të pasaportave kosovare që u mundësojnë daljen në Evropë.
“Nëse e shohim procesin e liberalizimit të vizave, kriteret që kanë qenë kyç apo kërkesa më e madhe e BE-së ka qenë po tek integriteti i shërbimit civil, respektivisht te letërnjoftimet, lëshimi i pasaportave, në mënyrë që liberalizimi të mos keqpërdoret”, thotë ai.
Edhe raporti i fundit i progresit për Kosovë, e kritikon Kosovën për mungesë progresi në reformën e administratës publike. /REL/