Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër dy serbëve me inicialet M.P. dhe Zh.Z. për krim lufte kundër popullatës civile.
Prokuroria Speciale thotë se ezksiton “dyshimi i bazuar mirë” se ata të dy e kanë kryer këtë vepër penale së bashku.
“Të pandehurit akuzohen se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut. Po ashtu të pandehurit akuzohen për ngjarjet në familjet Salihaj, Imeraj, Lipa, Pepaj etj. Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Kjo çështje, siç njoftoi Prokuroria, tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë “për procedurë të mëtutjeshme”.
“Të pandehurit gjenden nën masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.