Aksion i Prokurorisë për sigurinë në vendin e punës, mbyllen disa vendpunishte

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zhvilluar disa aktivitete hetimore me qëllim të ngritjes së sigurisë në vendin e punës.

Gjatë hetimeve, Prokuroria e Inspektorët e Ndërtimtarisë kanë hasur në disa parregullsi, meqë rast kanë ndaluar punimet në disa vendpunishte.

“Gjatë ditës së djeshme janë realizuar një sërë aktivitetesh në disa lokacione, ku janë evidentuar se në disa vendpunime në Komunën e Fushë Kosovës, po kryheshin punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve, me ç’rast janë ndaluar punimet në këto lokacione si dhe është inspektuar një aksident në vendin e punës në Mazgit, Komuna e Obiliqit.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Koordinatori për rastet e veprave penale qe ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës, njëherit prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë së bashku me Inspektorët e ndërtimit, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe rritjes së nivelit të sigurisë në vendin e punës, ku për shkak të mos ndërmarrjes së masave të përgjithshme të sigurisë dhe shëndetit në punë, mungesës së skelave, mos mbylljes së ashensorëve dhe mos mbylljes së shkallëve, janë ndaluar punimet në disa vendpunime”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në komunikatën e tyre, Prokuroria ka bërë të ditur se do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të preventivës së veprave penale të kësaj natyre dhe zvogëlimit të rasteve me pasojë vdekje në vendin e punës.