Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona pas dy aksioneve të ndara në Pejë e Gjakovë.
Në aksionin e parë, sipas policisë, katër të arrestuarit dyshohen për trafikim me armë, ku gjatë kontrollit në shtëpitë dhe objektet përcjellëse janë gjetur dhe konfiskuar një AK-47 dhe katër revole, një predhë trombloni dhe dyqind fishekë e dëshmi të tjera.
Ndërsa, në operacionin e zhvilluar në Gjakovë është arrestuar një person pasi i njëjti në një zonë malore në fshatin Lug-Bunar kishte kultivuar bimë narkotike të llojit ‘kanabis sativa’, ku janë gjendur 700 bimë me gjatësi prej 2.5 metra.
“Si rezultat, në shtëpinë dhe objektet përcjellëse pronë e tij është kryer kontroll ku janë gjetur dhe konfiskuar: Një armë automatike AK-47 me karikator dhe shtatëmbëdhjetë fishekë,
Një karikator i revoles me njëmbëdhjetë fishekë”, thuhet në njoftimin e policisë, transmeton Klankosova.tv.
Të dyshuarit me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.