Një aksion i Antidrogës i zhvilluar në fshatin Zllatar të Ferizajt, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e një sasie të drogës, raporton Gazeta Sinjali.
Bastisjet janë kryer në një shtëpi, ku zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar marihuanë, kanabis, para të gatshme e prova të tjera.
Personi i dyshuar lidhur me këtë rast është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që njësitet policore gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit kanë gjetur dhe sekuestruar tri qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë-1.96 gramë, në oborrin e shtëpisë dy bimë të vogla, ndërsa afër shtëpisë në një pjesë malore janë gjetur dhe konfiskuar pesë bimë të llojit kanabis në gjatësi mbi 2-metra, një kartelë bankare, një telefon celular dhe para të gatshme 102.6 €. Pasi janë marrë mostrat e bimëve janë shkatërruar.” – ka njoftuar Policia.