Një person ka humbur jetën ndërsa pesë të tjerë janë lënduar pas një aksidenti në rrugën Arllat-Malishevë, ku janë përfshirë dy vetura.
Drejtori i emergjencës në QKUK, Naser Syla, në një prononcim për Sinjalin tha se njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë shëndetësore po në gjendje stabile.
“ Gjendja e tyre është stabile për momentin, janë duke i bërë ekzaminimet mjekësore, njëri nga kta është më në rrezik dhe sipas të gjitha gjasave do të transferohet në klinikën e ortopedisë ”, tha ai.
Rastin është konfirmuar dhe nga zyrtarja për informim në Policinë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 07:00 kemi pranuar informatën se në rrugën Arllat – Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje”, ka thënë Ahmeti.
Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar gjashtë persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.
Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.