Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës së punës për gazetarët në Kuvend.
Përmes një reagimi në Facebook, AGK ka thënë se gazetarët njoftuan që të enjten janë kufizuar në kryerjen e detyrave nga Kuvendi i Kosovës.
“Në hapësirën lart prej nga mediet raportojnë është vendosur një shirit që u pamundëson medieve të marrin pamjen e plotë të Kuvendit dhe deputetëve. AGK-ja e kundërshton fuqishëm këtë vendim, që ka për tentim vështirësimin e raportimit profesional dhe të plotë nga Kuvendi.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu, AGK ka thënë se ky vendim s’i kontribuon transparencës së punës së deputetëve që janë zgjedhur nga qytetarët.
“AGK-ja fton Kryesinë e Kuvendit që të marrë masa për të lehtësuar punën e gazetarëve, pasi që raportimi i tyre nga Kuvendi është në interes të publikut. Si pasojë e këtij vendimi, gazetarët në fund të seancës së sotme janë larguar nga punimet e Kuvendit.” – thuhet tutje.