Stuhi të fuqishme parashihen edhe sot në vendet fqinje veriore, sidomos në Serbi, pastaj në Bullgari në lindje.
Në viset tona sot do të fillojnë zhvillimet e vranësirave konvektive, por ato do të jenë jo shumë të mëdha dhe të izoluara. Zhvillime më intensive në viset tona parashihet të kemi orëve të natës dhe mëngjesit të hershëm apo afër agimit të së premtes me rrebeshe shiu, vetëtima dhe bubullimë kur edhe temperaturat do të shënojnë ulje të ndjeshme.
Vende-vende mund të ketë ndonjë shtrëngatë pak më të fortë me rrebeshe intensive, por në përgjithësi nuk priten reshje të mëdha. Në jug të Shqipërisë nuk priten fare reshje.
Rrebeshe dhe shtrëngata shiu sonte gjatë natës parashihen edhe në bregdetin shqiptar sidomos në veri dhe pjesën qendrore.
Fronti i ftohtë do të vjen së bashku me vranësirat dhe rrebeshet e shiut, kështu që e Premtja do të jetë ditë më e freskët në aspektin termik dhe më e këndshme. Reshje dhe rrebeshe shiu parashihen vetëm në mëngjes, eventualisht aty-këtu paradite ose në disa vise edhe në mesdite, ngase menjëherë do të pasojë stabilizimi i motit dhe largimi i vranësirave.
Fundjava vjen me mot kryesisht me diell dhe mjaft të këndshëm veror. Nuk do të jetë shumë nxehtë. Më nxehtë pritet të jetë të dielën. Destabilizim të sërishëm të motit presim të hënën ku vende-vende parashihet të kemi zhvillime të rrebesheve të fuqishme të shiut me vetëtima dhe bubullimë duke mos përjashtuar edhe breshërin. Nga e Marta parashihet të fillojë një valë edhe më fortë e të nxehtit veror./MeteoBallkan