Popullsia jofetare në Shqipëri është rritur, ndërkohë që numri i myslimanëve është zvogëluar dhe tash ka afër gjysmë milioni më pak. Është tkurrur edhe numri i të krishterëve. Rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë kumbuan deri në Turqi, ku mediat shkruan për “transformim historik në skenën fetare të Shqipërisë”.
“Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë, që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që, të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët”. Kështu kishte thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para 10 vjetësh në një intervistë për France24.
Myslimanët nuk janë shumica e banorëve në Shqipëri – sipas rezultateve nga regjistrimi i fundit i popullsisë – nëse këtu nuk futen edhe bektashinjtë.
Popullsia banuese në Shqipëri ka dalë të jetë 2 milionë e 402 mijë e 113. Kështu, vendi tash ka 420 mijë banorë më pak se në vitin 2011.
Sa i përket besimit fetar, Shqipëria del se ka 1 milion e 101 mijë e 718 myslimanë. Në regjistrimin paraprak, në vitin 2011, myslimanë ishin deklaruar 1 milion e 587 mijë e 608. Diferenca: 485 mijë e 890 më pak.
115 mijë e 644 janë deklaruar myslimanë bektashi, numër më i madh se në vitin 2011 kur të tillë ishin deklaruar 58 mijë e 628 persona.
Mbi 375 mijë janë të krishterë, sipas Institutit të Statistikave, prej të cilëve 201 mijë e 530 katolikë dhe 173 mijë e 645 ortodoksë. Në vitin 2011 kishte 280 mijë e 921 katolikë dhe 188 mijë e 992 ortodoksë.
Për “tjetër besim fetar” janë përcaktuar 3 mijë e 670 persona. Në vitin 2011, vetëm 602 persona ishin deklaruar kështu.
332 mijë e 155 persona janë deklaruar si “besimtarë të pacilësuar”, numër shumë më i madh sesa në vitin 2011. Atëherë, të tllë deklaroheshin 153 mijë e 630 persona.
Ateistë, në regjistrimin e fundit të popullsisë janë deklaruar 85 mijë e 311 persona. Në vitin 2011, ateistë ishin deklaruar 69 mijë e 995, që i bie se numri i tyre është rritur për 15 mijë e 316.
Pyetjes se cilës fe i përkasin, 244 mijë e 331 persona kanë zgjedhur të mos përgjigjen në regjistrimin e fundit. Në vitin 2011, kishte 386 mijë e 24 persona që kishin zgjedhur të mos i përgjigjeshin kësaj pyetjeje.
Me t’u publikuar rezultatet e matjes së fundit të popullsisë së Shqipërisë të premten, disa mediave turke ua tërhoqi vëmendjen numri i myslimanëve. Disa prej tyre shkruan se si këto rezultate treguan një “transformim historik në skenën fetare të kombit” dhe se si në Shqipëri “myslimanët nuk janë më shumicë e popullsisë për herë të parë në më shumë se 200 vjet