Shkruan: Adri Nurellari
Uji, ose më saktë keqadministrimi i tij, është mbase pasqyra më e pamëshirshme e dështimit të shtetit shqiptar. Nga njëra anë kemi mijëra familje pa ujë të pijshëm të qëndrueshëm; nga ana tjetër kemi lumenj që dalin nga shtrati dhe marrin me vete shtëpi, biznese, toka e bagëti. Përmbytja masive e këtij dimri nuk mund të konsiderohet thjesht si aksident natyror, por si auditim i qeverisjes, sepse aty ku ekziston shteti, uji menaxhohet përpara se të kthehet në kërcënim.
Mungesa e infrastrukturës hidraulike moderne funksionale, si dhe mungesa e planifikimit profesional territorial na ka sjellë në një situatë, ku çdo stinë me reshje intensive na kthehet në emergjencë kombëtare. Faktikisht, një nga teoritë për zanafillën e shtetit vjen nga historiani Wittfogel, i cili flet për shtetin embrional që ka lindur nga nevoja për të mposhtur dhe administruar ujin si forcë të natyrës, pra si përgjigje ndaj sfidave praktike të mbijetesës kolektive. Qytetërimet e para lindën pikërisht aty ku uji ishte njëkohësisht burim jete dhe kërcënim shkatërrues. Shteti i parë Sumer u formësua në Mesopotami, midis Tigrit dhe Eufratit; Egjipti i lashtë u ndërtua përgjatë Nilit; Kina në pellgjet e Huang He (Lumi i Verdhë) dhe Yangce; ndërsa India pranë Indusit.
Në të gjitha këto raste, bujqësia intensive dhe mbijetesa vareshin nga kontrolli i përmbytjeve dhe sigurimi i ujit në stinët e thata, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e kanaleve, argjinaturave, rezervuarëve dhe sistemeve të kullimit. Këto projekte kërkonin planifikim qendror, mobilizim masiv pune dhe administrim të përhershëm që çuan në lindjen e shtetit. Nga ky organizim doli një klasë drejtuese që kontrollonte infrastrukturën jetike dhe bashkë me të, ekonominë dhe rendin shoqëror. Edhe pse teoria e shtetit hidraulik nuk është e përkryer e “fut ujë” nga disa anë; prapëseprapë, ajo mbetet një nga shpjegimet më të fuqishme për lindjen e shtetit. Aty ku ka shtet, uji kanalizohet e shfrytëzohet; aty ku mungon, uji sundon dhe e ekspozon boshllëkun e pushtetit. Është për të ardhur keq që një vend, i cili renditet ndër më të pasurit me burime ujore në Evropë jo vetëm që nuk parandalon dot përmbytjet, por nuk arrin të garantojë dot as furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm për qytetarët e vet. Ky paradoks lë një shije të hidhur dhe të shtyn domosdoshmërish krahasimin me kategorinë e “botës së tretë”, sipas ndarjes klasike të propozuar dikur nga Alfred Sauvy.
Edhe pse sot kjo terminologji përdoret më rrallë, përmbajtja e saj analitike mbetet aktuale. Studiuesit bashkëkohorë kategorizojnë si vend të “botës së tretë” një vend me shtet disfunksional, institucione të dobëta ose të kapura nga interesa private, shërbimet bazë të mangëta apo të paqëndrueshme, planifikimi është minimal ose inekzistent, industrializim të ulët ndërsa ekonomia mbështetet në burime primare, informalitet, remitanca ose asistencë të jashtme. Ky lloj shteti ka tendencën që të mbetet në “periferinë” e sistemit global, duke shërbyer si burim lënde të parë dhe krahu të lirë pune për vendet e zhvilluara. Në këto kushte, çdo krizë natyrore apo ekonomike shndërrohet shpejt në krizë humanitare, sepse shteti nuk ka as kapacitetin për ta parandaluar, as aftësinë për të reaguar në mënyrë efektive. Kjo mungesë kapaciteti nuk shihet vetëm në kriza të mëdha, por edhe në situata krejt të zakonshme.
Mjaftoi bora e parë e dimrit për ta kuptuar se rrugët ishin pa kripë. Një detaj i vogël, por shenjë e qartë se shteti nuk është gati as për ngjarjet më të parashikueshme. Kur ka shtrëngata, anijet na i shpëton Guardia Costiera italiane, duke treguar se edhe për sigurinë detare ngelemi në mëshirë të partnerëve pasi s’kemi kapacitet të qëndrueshëm shtetëror. Ky realitet u pa qartë pas tërmetit të vitit 2019 kur qentë e specializuar të kërkim-shpëtimit dhe sensorët akustikë, termikë e sizmikë erdhën nga jashtë, ndërsa “specialistët” tanë punonin sipër rrënojave me qysqi e vare. Ndërkaq, në këtë realitet mungesash bazike, shteti ynë i lejon vetes luksin të investojë 15 milionë euro për ta transformuar Piramidën në një qendër baresh dhe njëkohësisht të shembë teatrin e vjetër për të ndërtuar një të ri me 30 milionë euro me një nga arkitektët më të njohur e më të shtrenjtë në botë. Ky është kontrast i fortë që nxjerr në pah një përparësi të përmbysur; kemi investime spektakolare për imazh, ndërkohë që kapacitetet elementare për sigurinë njerëzore, parandalimin e katastrofave dhe shërbimet publike të emergjencës vijojnë të mbeten të anashkaluara.
Sipas “World Risk Report 2025” dhe të dhënave të fundit nga Banka Botërore, Shqipëria përmendet si vendi më i ekspozuar ndaj fatkeqësive natyrore në Evropë, për shkak të ndërthurjes së ekspozimit të lartë ndaj rreziqeve dhe kapacitetit relativisht të ulët për t’i përballuar ato. Pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm e të patrajtuar, ka diçka thellësisht komprometuese dhe indinjuese në mënyrën se si shoqëria jonë përmbytet jo vetëm nga uji, por nga justifikimet që dalin menjëherë pas vërshimit të tij. Sa herë që lumi del nga shtrati, faji i hidhet “fatkeqësisë natyrore”, sikur natyra të ishte një agresore e verbër e kapriçoze që na sulmon pabesisht kur s’e kemi mendjen. Në të vërtetë, përmbytja rrallëherë vjen pa paralajmërim; ajo ndodh zakonisht mu aty ku shteti ka zgjedhur të tërhiqet, të mos planifikojë, të mos mirëmbajë apo të mos parandalojë. Në verë, kur flakët përpijnë male dhe fusha dhe qielli mbushet me avionë të huaj zjarrfikës, rituali është i njëjtë: falënderime zyrtare, dalje publike, fjalor dramatik. Kur toka dridhet, dëgjojmë po të njëjtat formula klishe nga zyrtarët: “forcë e natyrës”, “ngjarje e jashtëzakonshme”. Ajo që mungon sistematikisht është pranimi më elementar i së vërtetës që një fatkeqësi natyrore shndërrohet në tragjedi vetëm atëherë kur shteti s’funksionon. Ironia e epokës sonë është se ne jetojmë në shoqëri super-moderne, por që dështojnë pikërisht aty ku shtetet e lashta kishin kuptuar thelbin e pushtetit.
Sot kemi inteligjencë artificiale, satelitë, drone modele klimatike, pafund studime e modele të suksesshme, buxhete e institucione. Megjithatë, përmbytjet na gjejnë vazhdimisht të papërgatitur, zjarret na nxjerrin zbuluar mungesën e kapaciteteve reale për shuarjen e tyre dhe tërmetet kthehen në prova të dështimit social e institucional. Sipas Raportit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin në Shqipëri (tetor 2024), duhen investuar rreth 6 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për të parandaluar dëmet dhe për të ndërtuar kapacitetet që na lejojnë të përballojmë dhe rimëkëmbemi nga përmbytjet, zjarret, rrëshqitjet e dheut, tërmetet dhe thatësirat. Bëhet fjalë për 0.6–1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit si kosto e arsyeshme krahasuar me dëmet pallogaritshme që shkakton mosveprimi. Këtu duhet pasur parasysh se vlerësimet paraprake të ekspertëve për pasojat e përmbytjeve sivjet flasin për qindra miliona euro dëme vetëm në bujqësi. Po ashtu, vera që lamë pas ishte ndër më katastrofiket për nga zjarret.
Sipas të dhënave zyrtare të Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), Shqipëria qe në krye të rajonit për sipërfaqet e djegura, me rreth 59 933 hektarë të shkrumbuara nga 132 zjarre madhore. Në tërësi, këto shifra tregojnë se fatkeqësitë natyrore në Shqipëri nuk janë më episode të izoluara, por një krizë e përsëritur strukturore, me kosto të kripur ekonomike, mjedisore dhe njerëzore që shtohen nga viti në vit. Prandaj raporti i sipërpërmendur rekomandon investime tek menaxhimi i ujërave dhe mbrojtja nga përmbytjet përmes argjinaturave, pritave, kanaleve dhe baseneve kulluese; te planifikimi urban që ndalon ndërtimet në zona rreziku; te zgjidhjet natyrore si restaurimi i zonave moçalore dhe pyjeve; si dhe te sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe forcimi i kapaciteteve lokale të reagimit. Krahas këtyre masave, thekson nevojën për mirëmbajtje sistematike të shtratit të lumenjve, përfshirë pastrimin e sedimentit dhe heqjen e pengesave artificiale që rrisin rrezikun e vërshimeve.
Një element qendror mbetet forcimi i planifikimit territorial dhe zbatimi real i hartave të rrezikut, duke ndaluar ndërtimet në zona përmbytjeje dhe duke korrigjuar, aty ku është e mundur, zhvillimet informale ekzistuese. Studimi në fjalë gjithashtu thekson se zjarret nuk luftohen me konferenca shtypi në kulmin e verës, por me parandalim gjatë gjithë vitit dhe planifikim afatgjatë. Rekomandohet menaxhim real i pyjeve, pastrim të vegjetacionit të thatë, ndalim real të djegieve të paligjshme dhe kthim të administrimit pyjor nga formalitet në funksion. Një element qendror është ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të mbështetura në monitorim satelitor, të dhëna meteorologjike dhe analiza rreziku në kohë reale, të shoqëruara me kapacitete lokale që mund të reagojnë shpejt, përpara se zjarret të përhapen.
Pa financim të qëndrueshëm, pushtet vendor funksional dhe investime në restaurimin e pyjeve, paralajmëron raporti, zjarret do të mbeten pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes, jo e klimës. Mesazhi është brutal, ose investohet në parandalim, ose zjarret do të vazhdojnë të na djegin territorin, ekonominë dhe besimin tek shteti. Nëse këto investime nuk bëhen, ka për të na marrë lumi, sepse dëmet vjetore nga fatkeqësitë natyrore pritet të arrijnë deri në 7.2% të PBB-së deri në vitin 2050, ndërsa një ngjarje e vetme ekstreme mund të fshijë vite të tëra zhvillimi ekonomik, e shkaktojë tragjedi njerëzore.
Raporti nënvizon se çdo euro e investuar në masa parandaluese dhe përshtatjeje kthehet deri në 10 euro përfitim, në formën e humbjeve të shmangura, stabilitetit ekonomik dhe përfitimeve sociale e mjedisore. Prandaj, pa një këndjellje përgjegjësie shtetërore dhe pa ndryshim rrënjësor nga reagimi i vonuar te parandalimi serioz, Shqipëria rrezikon të mbetet e bllokuar në ciklin e krizave të parashikueshme që trajtohen si episode shkatërruese të papritura.
