“Shpërndane lajmin te krejt shoqnia se Albkings u kthy në Telegram”. Ky është informacioni që jepet për rikthimin e grupit ku shpërndahen fotografi dhe video intime të vajzave.
Së fundi për aktivitetin e këtij grupi, në prangat e Policisë së Kosovës ra Edvin Nevzati. Në grupin “Albkings” të cilin ai e administronte, u shpërndanë mijëra imazhe intime të vajzave të moshave madhore, por edhe të mitura.
Pas angazhimit policor, grupi u mbyll, mirëpo janë hapur disa të rinj me të njëjtin emër që po ashtu kryejnë të njëjtin aktivitet.
Paparaci mëson për të paktën funksionimin e dy grupeve të tjera me emrat “Albkings” dhe “VIP ALBANIA”.
“Albkings” në rrjetin social Telegram momentalisht numëron rreth 40 mijë anëtarë ndërsa “VIP ALBANIA” afër 24 mijë sosh. Numrat vijojnë të rriten secilën orë që kalon.
Në këto grupe dërgohen imazhe denigruese, intime të vajzave e grave, si dhe të dhënat personale të tyre, numrat, vendbanimi, llogaritë e tyre nëpër rrjetet sociale. Madje, atyre u vendoset edhe çmimi për shërbime seksuale.
Të mërkurën, Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji kundër Nevzatit.
Ai dyshohet për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.
“I pandehuri E.N dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit ‘Albkings’ në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore në grupin ‘Albkings’ në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit siç janë emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore u ka bërë thirrje viktimave të këtij grupi që me qëllim të bashkëpunimit të paraqiten në Polici.