Acar në vikend, pritet borë e temperatura nën -10 gradë

Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror ka bërë të ditur se fundjava në vend do të jetë tipike dimërore, ku shtresat e borës mund të shkojnë deri në 10 cm në zonat urbane.

Në njoftim bëhet e ditur se mot i ndryshueshëm e me reshje të kohëpaskohshme sqote e bore do të mbretëroj edhe ditëve në vazhdim të javës që vjen, me temperatura minimale që do të zbresin deri në -10 gradë Celsius.

“Reshjet e shiut që kanë kapluar Gadishullin Ballkanik në javën e fundit, nga dita e shtunë nën ndikimin e masave ajrore polare, do të shndërrohen në reshje sqote/bore e cila nën ndikimin e erërave të forta veriore mund të krijoj shtresa bore madje edhe rreth 10cm në zonat urbane.

Mot i ndryshueshëm e me reshje të kohëpaskohshme sqote e bore do të mbretëroj edhe ditëve në vazhdim të javës që vjen, me temperatura minimale që do të zbresin deri në -10°C dhe me temperatura maksimale që do të luhaten në mes 01°C deri 06°C”, thuhet në njoftim.

Erërat do të jenë drejtimesh të ndryshme me shpejtësi deri 15m/s.

Efekti i erërave të fuqishme sidomos veriore, në kontakt të drejtpërdrejt mund të ketë ndikim dhe krijim të ndjeshmërisë së një acari të vërtetë.