Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ku asnjë kandidat shqiptar nuk arriit të shkonte në balotazh.
Abdixhiku ka shkruar në Facebook që sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh.
“Do të ishte rezultat historik”, ka thënë Abdixhiku. “Por shqiptarët u ndanë”, ka shtuar ai.
Për këtë ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e cilëson si populist.
Abdixhiku thotë se Kurti në vend të përpjekjes për përbashkim, bëri që të përçahen shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”.
“Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër. Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim”, ka shkruar Abdixhiku.