Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka takuar Renea Morinën, vajzën e cila përmes vizatimeve në xhama po ndihmon nënën e saj vetëushqyese.
Ai u shpreh se Renea, përveç se ishte një vajzë e mrekullueshme dhe e sjellshme, siç u shpreh ai, kishte dhe talent të paparë, transmeton Klankosova.tv.
“Jam Renea Morina, jam nxënëse e vitit të parë në Shkollën e Mesme ‘Prenk Jakova’ në Gjakovë. Jetoj me nënën time e cila është nënë vetëushqyese; dhe për t’i mbuluar shpenzimet që kemi, shpreh dëshirën të pikturoj në xhama për shuma simbolike. Të interesuarit më shkruani.”
“Ky ishte postimi i Reneas ditë më parë. Me këtë postim ajo veçse kishte marrë zemrat tona. Së bashku me Jehonën, këtë vikend, Renean dhe nënën e saj Rajmondën, e ftuam në LDK. E ftuam jo vetëm për t’i zbukuruar zyret tona, por për t’i dhënë kësaj artisteje të re sa më shumë zë e shtytje në ndjekjen e ëndërrave të bukura që i ka përpara”.
“Renea përveç se ishte një vajzë e mrekullueshme dhe e sjellshme, kishte dhe talent të paparë. U kënaqëm me Erën e Rozin teksa shihnim se si vijat e tyre të bardha, shpejtë u shndërruan në panoramë fundviti të cilën do ta shohim çdo ditë këto ditë. Shpërndajeni. Le ta përkrahim këtë artiste të re në rrugëtimin magjik që i ka vënë vetes përpara. Atë mund ta kontaktoni në llogarinë e saj në instagram: renea.artist”, ka shkruar Abdixhiku.