Kryetari i LDK-së akuzon kryeministrin në detyrë për shkelje të Kushtetutës, uzurpim institucionesh dhe përçarje politike.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për sjellje autoritare dhe mosrespektim të institucioneve të shtetit.
Në një deklaratë publike, kreu i LDK-së tha se Kurti nuk i kupton parimet dhe as vlerën e fjalës së dhënë, duke përmendur një sërë veprimesh që sipas tij dëshmojnë shkëputjen e Kurtit nga përgjegjësia shtetërore.
“Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lënë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën; një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet; një njeri që vendoset mbi prokurorinë e i mbron të korruptuarit partiakë veç se janë të tij… një njeri i tillë, natyrisht se nuk e kupton se çka do të thotë parimi i drejtë në jetë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai akuzoi Kurtin se ka izoluar vendin dhe ka cenuar të ardhmen e qytetarëve me qasjen e tij përçarëse.
Sipas Abdixhikut, Kurti nuk kupton bashkëpunimin, unitetin dhe afrimin politik si vlerë patriotike, ndërsa ndryshon pa vështirësi çdo premtim publik.
LDK, siç tha ai, do të vazhdojë të ecë në rrugën e vet politike, të mbështetur nga elektorati i saj.
“LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni, por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejt. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, tha ndër të tjera Abdixhiku, duke e mbyllur mesazhin me një thirrje për besim në të ardhmen e partisë:
“LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë! Dritë do të ketë!”.

