Ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq është shprehur se Kisha Ortodokse Serbe është sjellë në mënyrë jo-korrekte me Malin e Zi.
“Shtetin e Malit të Zi, Kisha Ortodokse e ka trajtuar, për mendimin tim, në një mënyrë jo-korrekte. Shumica nga ta kanë thënë se nuk e pranojnë pavarësinë e Malit të Zi, një grup tjetër ka thënë se ne jemi këtu para shtetit të Malit të Zi, dhe nuk duam të iu nënshtrohemi ligjeve tuaja”, tha Abazoviq.
Abazoviq u pajtua se Kisha Ortodokse serbe nuk pranon të takohet me kryeministrin e vendit tonë, Albin Kurti për të arritur një marrëveshje, ku tha se mbi këtë çështje nuk ka përgjigje.
Por ai shprehu se do të kishte dëshirë që një marrëveshje e tillë të arrihej, për shkak se do të sillte paqe.
“Si një qytetar, si një mik, si një vëlla i Kosovës normalisht që ka qejf të shoh një paqe në rajon, unë mendoj që kjo gjë mund të shfrytëzohet si model”, tha ish-kryeministri malazez në Klan Kosova.